Lajmet

Kushtet e vështira të punës, pagat e ulëta e sigurimi shëndetësor, sfidat kryesore të Policisë së Kosovës

10.05.2026 09:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Kushtet e vështira të punës, pagat e ulëta e sigurimi shëndetësor, sfidat kryesore të Policisë së Kosovës

Pagat e ulëta, mungesa e pajisjeve bazike dhe kushtet e vështira të punës po vazhdojnë të jenë sfidë për zyrtarët policorë në Kosovë, ndërsa dorëheqjet nga Policia e Kosovës po ndodhin edhe për shkak të pakënaqësive me trajtimin institucional.

Sindikata e Policisë së Kosovës dhe ish-pjesëtarë të Policisë kanë ngritur shqetësime për kushtet e punës, mungesën e pajisjeve dhe pagat që i konsiderojnë të pamjaftueshme për nivelin e rrezikshmërisë me të cilën përballen zyrtarët policorë.

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, tha për Ekonomia Online, se puna e policëve është vazhdimisht e rrezikshme dhe për këtë arsye ata duhet të kenë paga më dinjitoze.

“Duke e ditur rolin e institucioneve të sigurisë, Policisë së Kosovës, që e luan në mbrojtjen e rendit dhe të qetësisë publike, unë mendoj se pagat duhet të jenë më dinjitoze, do të thotë më të mira, pasi që vazhdimisht janë në rrezikshmëri. Puna e tyre 24 orë është e rrezikshme, prandaj njësitet e posaçme, konkrete e tjera duhet të kenë paga të dinjitetshme, në mënyrë që ata të mund të ekzistojnë dhe t’i mbajnë familjet e tyre. Prandaj, një polici e cila nuk ka paga të dinjitetshme, profesionalizmi, edhe pse profesional, mund t’i bie profesionalizmi i tyre, për shkak se, do të thotë, ata janë të detyruar me mbajtë familjet, fëmijët e tyre dhe në këtë mënyrë, do të thotë, varen krejt prej pagave, prej të ardhurave. Prandaj shteti duhet të investojë më shumë në paga, të investojë në rrezikshmërinë e pjesëtarëve të policisë, sidomos njësive përkatëse të operacioneve, njësive të krimeve të rënda, krimeve ekonomike, pastaj drogës, trafikimit të qenieve njerëzore e tjera, do të thotë në njësitet që kanë një rrezikshmëri më të madhe në aspektin e punës, për arsye se ata ballafaqohen çdo herë me rrezikshmëri të tilla dhe shteti duhet të investojë më shumë, do të thotë, te zyrtarët policorë, në mënyrë që të ngriten edhe në aspektin profesional, edhe moral, edhe njerëzor, në mënyrë që ata të kenë vullnet që të shkojnë në punë dhe ta kryejnë detyrën e tyre sipas rregullativës dhe ligjit mbi policinë”, tha Morina.

Ai tha se Policia e Kosovës vazhdon të përballet me mungesë të logjistikës dhe pajisjeve elementare për punë.

“Vazhdimisht kemi pasur probleme me logjistikë, prandaj një polici profesionale, e aftë për me mbrojtë rendin dhe qetësinë publike, duhet të ketë edhe pajisje teknike dhe teknologjike të tyre. Për shembull, në disa rajone policore të Kosovës mungojnë automjetet, në disa vende mungojnë veshmbathjet, gjërat më elementare me të cilat një polic duhet të pajiset për me kry punën dhe detyrat e tyre. Gjithashtu, te njësitet e caktuara, të cilat 24 orë janë online në punë për veprime të caktuara, ata duhet ta kenë edhe ushqimin nga institucioni, do të thotë gratis, për arsye se ushqimi dhe veshmbathja e mirë i mban policët që ata të jenë në detyra më efektivë, më të ndërgjegjshëm, më të kujdesshëm e të tjera. Prandaj kemi mungesa të tilla dhe unë mendoj që prokurimi brenda për brenda policisë edhe menaxhmenti i policisë duhet të bëjnë çmos që këto gjëra, në aspektin teknik dhe teknologjik, të rregullohen. Për shembull, kemi mungesë edhe të kompjuterëve, kemi mungesë të fotokopjeve e tjera, të cilat shumë herë policët janë detyruar t’i kryejnë detyrat me paratë e tyre, të fotokopjojnë anën zyrtare të dokumenteve jashtë stacionit policor, që është e ndaluar me ligj. Prandaj, për me i ndalë këto veprime jashtëligjore, për mos me ble pjesë të uniformës në nëntregje, duhet që institucioni, menaxhmenti i brendshëm i Policisë së Kosovës, të kujdeset në mënyrë që teknika dhe teknologjia e tyre të jetë në nivelin e duhur, për arsye se ata patrullojnë 24 orë non-stop dhe nëse vetura nuk është në rregull, nëse nuk kanë veturë, atëherë do të thotë edhe shpejtësia e daljes në vendngjarje, konstatimi i rasteve të ndryshme dhe thirrjeve të qytetarëve mund të vonohen”, tha Morina.

Sipas tij, dorëheqjet nga Policia e Kosovës po ndodhin edhe si pasojë e pakënaqësive me pagat dhe gradimet.

“Fatkeqësisht ka dorëheqje të zyrtarëve policorë, për shkak të pagave të pamjaftueshme, pastaj për shkak të moskujdesit sa duhet ndaj zyrtarëve policorë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, në gradimet e tyre të brendshme, të cilat gradime në pozicionet e tyre e tjera shpeshherë ata i demoralizojnë dhe për shkak të demoralizimeve të tilla janë të detyruar ta lënë Policinë e Kosovës”, tha Morina.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, tha se mungesa e sigurimit shëndetësor dhe jetësor mbetet një nga shqetësimet kryesore të policëve.

“Kushtet e punës dhe mirëqenia e policëve, mungesa e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për zyrtarët policorë, është një nga sfidat dhe shqetësimet kryesore. Shtesat për rrezikshmëri konsiderohen të pamjaftueshme krahasuar me rrezikun e punës. Puna në ndërrimet e natës ose kujdestaria nuk paguhen sa duhet. Kushtet fizike në terren, mungesa e infrastrukturës bazike në disa pika”, tha ai.

Ai tha se Policia e Kosovës vazhdon të ketë mungesë të mjeteve operative dhe pajisjeve moderne.

“Ka mungesa në mjete operative, si vetura, pajisje të ndryshme mbrojtëse dhe teknologji moderne, edhe mungesë të pajisjeve më të avancuara. Dorëheqjet e policëve në periudha të ndryshme kanë krijuar boshllëk në Policinë e Kosovës, por kanë qenë për arsye të ndryshme këto dorëheqje, jo vetëm për arsye të pagave, por edhe për arsye se zyrtarët policorë kanë siguruar vende më të mira të punës dhe e kanë gjetur veten më mirë jashtë Policisë së Kosovës”, tha Hoti.

Ai shtoi se Sindikata e Policisë vazhdon të kërkojë miratimin e ligjit për pensionimin e policëve në moshën 55-vjeçare.

“Sa i përket ligjit për pensionimin e Policisë në moshën 55 vjeç, Sindikata e Policisë së Kosovës gjithmonë ka insistuar që ky ligj të bëhet sa më shpejt dhe të hyjë në fuqi menjëherë, dhe të jetë sikurse ligji i FSK-së ose i ngjashëm me ligjin e FSK-së, por deri më tani nuk është në fuqi ky ligj, edhe pse është i domosdoshëm për Policinë e Kosovës”, tha ai.

Hoti foli edhe për mungesën e uniformave, duke fajësuar proceset e prokurimit dhe anulimin e tenderëve.

“Uniformat në Policinë e Kosovës janë të mangëta dhe qysh nga viti 2021 Policia e Kosovës ka pasur sfida në këtë aspekt, edhe pse gjithmonë ka pasur angazhim për sigurimin e uniformave, por problem ka qenë Organi Shqyrtues i Prokurimit, që i ka anuluar tenderët që janë shpallur fitues, ku tani së fundi Policia e Kosovës në gjykatat vendore, si në atë Themelore, i ka fituar këto lëndë dhe po ashtu lënda për uniforma është fituar edhe në Gjykatën e Apelit dhe shumë shpejt. Policia e Kosovës do të pajiset me uniforma të reja”, tha ai./eo

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

Kurti priti në takim Hofreiter, diskutojnë për zhvillimet aktuale në vend

Kurti priti në takim Hofreiter, diskutojnë për zhvillimet aktuale në vend

FSK trajnon instruktorët për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare

FSK trajnon instruktorët për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare

KDI: Ushtrimi i detyrës së Presidentit nuk mund të zgjasë përtej gjashtë muajve, kërkohet sqarim nga Kushtetuesja

KDI: Ushtrimi i detyrës së Presidentit nuk mund të zgjasë përtej gjashtë muajve, kërkohet sqarim nga Kushtetuesja

Nesër protestohet edhe në Malmo kundër dënimit të çlirimtarëve

Nesër protestohet edhe në Malmo kundër dënimit të çlirimtarëve

Edi Rama për arrestimet e zyrtarëve: Sistemi tani lufton kundër korrupsionit

Edi Rama për arrestimet e zyrtarëve: Sistemi tani lufton kundër korrupsionit

Haxhiu shqyrton mundësinë t’i drejtohet Kushtetueses për mandatin si Ushtruese e Detyrës së Presidentes

Haxhiu shqyrton mundësinë t’i drejtohet Kushtetueses për mandatin si Ushtruese e Detyrës së Presidentes

Vitia: Avastina do të jetë shumë shpejt në Kosovë

Vitia: Avastina do të jetë shumë shpejt në Kosovë

Kurti publikon foton me Presidentin Trump: E falënderova për investimet në mbrojtje

Kurti publikon foton me Presidentin Trump: E falënderova për investimet në mbrojtje

Orët e fundit për marrëveshje, Kurti e Hamza takohen sot, Specialja dhe Presidenti në tavolinë

Orët e fundit për marrëveshje, Kurti e Hamza takohen sot, Specialja dhe Presidenti në tavolinë

Rama: Qeveria po tenton ta bllokojë Tulltoren, njëjtë siç veproi me pronën për Universitetin

Rama: Qeveria po tenton ta bllokojë Tulltoren, njëjtë siç veproi me pronën për Universitetin

Kurti dhe Prattipati diskutojnë zhvillimet e fundit politike

Kurti dhe Prattipati diskutojnë zhvillimet e fundit politike

Netanyahu thotë se sulmuesi në avion “iu nënshtrua indoktrinimit radikal islamist”

Netanyahu thotë se sulmuesi në avion “iu nënshtrua indoktrinimit radikal islamist”

Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga përpjekjet për ta çuar vendin në zgjedhje

Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga përpjekjet për ta çuar vendin në zgjedhje

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për protestën e qetë dhe pa incidente

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për protestën e qetë dhe pa incidente

Haradinaj pas protestës në Prishtinë: Faleminderit gjithë shqiptarëve, “Jo në emrin tim!”

Haradinaj pas protestës në Prishtinë: Faleminderit gjithë shqiptarëve, “Jo në emrin tim!”