Kush po i bllokon vizat: BE, opozita apo korrupsioni?

E publikuar: 15/12/2015 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paralajmërimet e kahershme të Qeverisë, shoqnisë civile dhe ndërkombëtarëve se bllokimi i dhunshëm i Kuvendit nga opozita ka me pasë kosto për Kosovën, duket se po dalin të vërteta.

Asht Këshilli Europian ai, që përmes Konkluzioneve paraprake të Raportit mbi Zgjanimin dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit, të datës 15 Dhetor, nuk ka dhanë përgjigje pozitive sa i takon rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Pika 50 e këtyne konkluzioneve, në faqen 18 të Raportit, i kushtohet liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në funksion të raportit të ardhshëm të Komisionit mbi përparimin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit e vizave, Këshilli thekson randësinë e përmbushjes së të gjitha kushteve të përcaktueme për liberalizimin e vizave dhe inkurajon Kosovën për me ndjekë përpjekjet e saj, që me ba progres në procesin e liberalizimit të vizave, – thuhet mes tjerash në këto konkluzione.

Sikurse shihet, Këshilli nuk jep shêja për konkluzione pozitive.

E derisa në pikën 51 bahet thirrje për nisjen e punës së Gjykatës Speciale, pika 52 e Konkluzioneve, dënon përdorimin e dhunës dhe për qëllime politike, e në veçanti nga partitë opozitare. Këshilli ban thirrje për dhanien fund urgjentisht të krizës politike, si dhe për rezpektimin e sundimit të ligjit dhe rikthimin e jetës normale të Kuvendit. Të dyja palët duhet me adresue sfidat përmes dialogut e me u angazhue me shpejtësi për zbatimin e axhendës europiane të reformave të Kosovës.

Mirëpo këto konkluzione, që në nji farë mënyre akuzojnë opozitën për mosdhanien e rekomandimeve pozitive për liberalizimin e vizave, Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi e ka quejtë marri të Bashkimit Europian vazhdimi i izolimit për Kosovën.

Ministri i Jashtëm i Kosovës deklarohet i zhgënjyem me vonesat, simbas tij të pakuptimta të BE’s për liberalizimin e vizave. Simbas tij, ky asht provokim i randë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel. 

Thaçi deklaron se këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin te qytetarët e Kosovës.

Ma tej, Ministri i Jashtëm deklaron se kjo qasje e BE’s po rrezikon të gjitha proceset e randësishme në vend, përfshi edhe dialogun me Serbinë.

BE’ja duhet me i dhanë fund këtij trajtimi diskriminues kundër Kosovës, e me ndihmue për paqen dhe stabilitetit në Ballkan, – ka shkrue Thaçi në fb.

Ma herët, qysh në vitin 2010, atëherë kryeminsitër i vendit, Hashim Thaçi premtoi liberalizim të vizave për kosovarët. Me këtë premtim janë marrë votat në shumë fushata elektorale gjatë këtyne 5 viteve. Ndërkohë, këtë premtim e kanë përsëritë, në formën e besimit se kjo ka me ndodhë mbrenda pak kohe, edhe kryeministri aktual Isa Mustafa, si dhe Ministri i Integrimeve Bekim Çollaku.

E vetëm pak ditë ma parë, zv/ministri i Integrimeve¸tha për Televizionin Rrokum, se priten rekomandimet pozitive për liberalizimin e vizave.

Por i kontaktuem mbas këtyne konkluzioneve, Ilazi tha se nuk ka çka shton ma shumë se ministri i Jashtëm.

Megjithatë, 10 ditë ma parë¸ishte vetë Përfaqësuesi Special i BE’s në Prishtinë, Samuel Zbogar, i cili e tha publikisht në Konferencën Gjyqësore, se Kosova nuk e ka plotësue së paku nji kriter për liberalizimin e vizave. E ky asht lufta ndaj korrupzionit endemik.

Në të njajtën konferencë, Presidentja kishte deklarue se Kosova i ka përmbushë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.