Nga Adem Breznica
Disa prej gazetarëve kosovarë, hulumtues, opinionistë e analistë, që shesin dije të gjithanshme rreth zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore, religjioze, sociale e të sigurisë, që thonë se dinë gjithçka nga këto disiplina, në fakt janë amatorë të të gjitha atyre temave përgjithësisht, dhe profesionistë të asnjërës prej tyre veç e veç.
Ndryshe e më drejtpërdrejt ata do të quheshin diletantë, apo dhe gazetarucë, nëse e përdorim fjalorin e Gani Gecit e të Ramiz Lladrovcit, që në fakt ua bëjnë oponencën e vërtetë.
Duke qenë se disa prej tyre janë rritur e shkolluar në rrethana të privilegjuara, ata e kanë pasë fatin për ta mësuar e përvetësuar shkëlqyeshëm gjuhën e pushtuesit.
Kjo, pavarësisht prej faktit se zyrtarisht, nga ana jonë shqiptare, në shkollat tona paralele e kishim bojkotuar mësimin e gjuhës serbe.
Të vetmen gjë që deri më tani mund ta kenë bërë tamam profesionale është serbishtja e tyre e rrjedhshme dhe e këndshme në gjuhët e tyre. E kanë dëshmuar edhe gjatë kohës së luftës në Kosovë (1997/98), dhe këtë përparësi e patën shfrytëzuar dhe po e shfrytëzojnë akoma në maksimum.
Duke qenë edhe zorraxhi të shehrit, ata shkonin e vinin në ligjërata më lehtë se të tjerët, por më rrallë se ne (për kafe kanë qenë të pakonkurrentë), dhe kurrë nuk patën ra në duart e policisë serbe as për kontrolle rutinore e as për çnukje të ndonjë devize…
Gjatë protestave të hapura, por edhe atyre “të heshtura” (defilimet këmbë nëpër Kryeqendër) ata kurrë nuk e bënë zemrën “patate”, as me dalë vet, e as me i strehu kolegët “katundarë” për ndonjë 10 minutësh a gjysëm ore, vetëm derisa të kalonte vala e çmendur e përndjekjes policore.
Sido që të jetë, më e rëndë prej krejt këtyre ishte kur ndiheshe inferior kulturalisht përballë performancës së tyre ‘eksellente’ me këngët e Cecës, Draganës, Snezhanës e Dzej Ramdanivskit…
E pastaj mbas lufte, nuk di çka u bë, si rrjedhën e si shkuan gjërat, ama ata fluturuan edhe më përtej…
Kurrë pa i parë në ligjërata as pa i parë se po hynin në provime, tipat u diplomuan për t’u bërë të mëdhenj dhe për të arritur këtu ku janë tani…
Ata që thonin se lufta po ua prishte punët e që aktronin nën ndikimin e televizioneve serbe, tash dalin e na i mbulojnë dhunshëm TVtë tona me patriotizma të “ri-gjetur”, brenda shpirtrave të tyre të shitur, e zhurmojnë pa ndërpre kundër çdo gjëje që nuk mund t’ia vënë lakun përreth…
Këta tipa këngët i kanë ndërruar, mirëpo melodinë akoma e kanë të njëjtë.
Por nuk do t’ju shitet më!
Kopallat e tyre kanë marrë fund, ashtu siç ka perënduar dhe epoka e tyre.
/Adem Breznica, gazetar i pavarur/