Kush ia dha letërnjoftimin e Kosovës irakianit me emrin ‘Valdrin’ që u kap në Kroaci?

E publikuar: 06/01/2024 13:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet e Kosovës kanë zgjedhur heshtjen lidhur me rastin e shtetasit irakian, i cili pasi është kapur nga policia kufitare kroate, ka prezantuar një letërnjoftim të Republikës së Kosovës, të një personi të quajtur Valdrin Z.

Një version se si arriti ta merrte këtë letërnjoftim, e ka dhënë vetë 26-vjeçari.

Lidhur me këtë rast kanë raportuar dje mediat kroate

Një profesor irakian i matematikës ka tentuar të identifikohet në kufirin kroat me dokument të dikujt tjetër, saktësisht një letërnjoftim të Republikës së Kosovës, me emrin Valdrin Z.

Se kur ka ndodhur rasti, nuk dihet saktë, por për të ka raportuar dje mediumi kroat “Jutarnji”. Sipas këtij mediumi, 26-vjeçari Muhamed AF, kishte tentuar ilegalisht që ta kalojë kufirin, përmes pikës kufitare të Bajakovës. Synim i tij ishte Zvicra, po të mos arrestohej nga policia kroate.

Por, si i ra në dorë këtij të riu irakian letërnjoftimi i Republikës së Kosovës?

Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me rastin, meqë është institucioni që i lëshon këto dokumente identifikimi. Nga ky institucion s’kanë treguar nëse janë informuar lidhur me rastin, por vetëm kanë thënë se me këtë çështje merret Ministria e Punëve të Jashtme.

“Ju lutem që për këto pyetje të drejtoheni në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës”, kanë deklaruar nga MBP’ja.

Pyetjet e njëjta janë nisur në adresë të MPJD’së, por as ky institucion s’ka kthyer përgjigje.

Për irakianin në fjalë, mediumi kroat raporton se ai ka përfunduar në paraburgim dhe se është ndjekur penalisht për keqpërdorim të dokumentit të identifikimit.

Ndaj tij, për një kohë të shkurtës është ngritur aktakuzë dhe gjykata, me propozim të prokurorisë, e ka dënuar me pesë muaj burgim me kusht, me një periudhë prove njëvjeçare. Ai duhet të paguajë edhe 66.36 euro shpenzime gjyqësore.

Një version se si arriti ta merrte letërnjoftimine Republikës së Kosovës, 26-vjeçari e ka dhënë para gjykatës.

Ai ka përshkruar se një vit më parë ka ardhur në Kosovë nga Iraku, prej nga ka arritur në Serbi ilegalisht, pa i treguar askund dokumentet.

Dokumentin në fjalë ka thënë se ia ka dhënë një shofer që e ka marrë në Serbi, por se emrin e tij nuk e di.

“Pastaj erdha në Kroaci. Dhe i gjithë udhëtimi ishte organizuar për mua në Kosovë dhe doja të shkoja në Bazel. Shoferi që më ka marrë në Serbi ma ka dhënë letërnjoftimin në emër të Valdarinit, por emrin nuk e di. Erdha në Kroaci me ndihmën e një udhërrëfyesi nëpër pyll. Pas kësaj, shoferi më tregoi makinën në të cilën duhet të hipja. Se me të hyrë në makinë, shoferi më bërtiste: ‘Policë! Dilni nga makina dhe vraponi në tualet!’. Dhe unë e bëra atë. Shkova në tualet ku policia erdhi shumë shpejt dhe trokiti në derë. Unë dola dhe, me kërkesën e tyre, u dhashë atyre ID-në e dikujt tjetër si timen “, ka deklaruar profesori irakian.