Kryetarja e Komunës së Gajkovës Mimoza Kusari nëpërmjet një konference për media ka thënë se postimet e disa personave në rrjetet sociale të cilët kanë folur për tentim-kidnapime, janë të pavërteta.
Kusari ka thënë se policia ka intervistuar 5 persona që kanë bërë postime të tilla. Sipas saj, gjithçka ka rezultuar si e pavërtetë.
Më poshtë mund të lexoni të plotë njoftimin e Kusarit rreth këtyre rasteve.
Sot në Komunën e Gjakovës përmes një konference për media kemi adresuar shqetësimet e qytetarëve në lidhje me postimet në rrjetet sociale kinse “kidnapimeve” të cilat kanë “ndodh” ose po “vazhdojnë “të ndodhin në Komunën tonë.
Fillimisht sqarova për opinionin publik se me të marrë këto informata Komuna e Gjakovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me Drejtorinë e Arsimit ka marrë të gjitha masat për të vërtetuar bazën e këtyre informatave.
Deri me tani asnjë rast nuk është raportuar në Polici me faktet dhe argumentet që do na jepnin bazë për të thënë që këto informata janë të vërteta, përkundrazi Policia ka ftuar në intervista plasuesit e dyshimeve në rrjetet sociale, por të gjitha kanë rezultuar si thashetheme dhe të pabaza. Gjendja e sigurisë në Komunën e Gjakovës është në nivel dhe nëse bëjmë krahasimin me vitet e kaluara kemi diku për 30% rënie të akteve që cenojnë sigurinë, që d.t.th se nuk kemi vërejtur indikacione që do mund të arsyetojnë frikën dhe panikën e përhapur gjatë ditëve të fundit.
Gjithashtu edhe Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj theksoi që këto postime kanë qenë thashëthëme dhe nuk ka pasur fakte për këto deklarata. Edhe përkundër faktit që nuk kemi pasur zyrtarisht deklarime në Polici, ne i kemi intervistuar 5 raste në bazë të përshkimeve të publikuara, që kanë rezultuar të pavërteta.
Diana Çarkaxhija, drejtore e Arsimit, tha që ka qenë në kontakt me të gjithë drejtorët e shkollave të cilët nuk i kanë konfirmuar ndonjë rast konkret dhe me bazë për këto dyshime.
Në fund të konferencës për media, unë bashkë me komandantin e stacionit policor dhe drejtoreshë e arsimit zhvilluar një takim me nxënësen dhe prindin e njërit nga rastet që kishin ngritur këto dilema, por as gjatë këtij takimi nuk kishte informata konkrete që mund ta pohonin se ka egzistuar një tentim rrëmbimi.
Megjithatë, Komuna e Gjakovës dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar për të ofruar sigurinë e duhur për mbarëvajtjen e procesit mësimor, përderisa prindërit luten që të kenë bashkëpunim me policinë dhe mos të shpërndajnë informata të pasakta të cilat ngjallin panik dhe frikë te qytetarët e Komunës së Gjakovës.