Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova se, dikush në Kosovë ka porsoritur vrasjen e saj, dhe aktin e vrasjes, sipas Kusari-Lilës, do ta kryente dikush nga Shqipëria.
“Policia e Kosovës dhe Shqipërisë, kanë përcjellur tek unë lajmin që jam cak i një sulmi”.
“Hetimet kanë nxjerrë që ka qenë një sulm i porositur tek ata që kryejnë këto punë”.
“Porositësit zyrtarisht nuk dihen, por ndërmjetësitë po. Për hirë të hetimeve duhet ta kufizoj vetën nga dhënia e ndonjë informacioni shtesë”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se nuk e di motivin e atyre që duan ta eliminojnë.
“Nuk e di motivin, ndoshta është motivi që dikush nuk dëshiron që gjërat të kthehen për së mbari në Gjakovë”.
“Gjithsesi është një rast që nuk duhet të mbyllet si një rast i pazgjidhur. Në asnjë moment nuk e kam humbur lirinë e brendshme, brenga ime është siguria e fëmijëve, për tjerat jam shumë e vetëdijshme për punën që e bëj, për vendimet jo shumë të lehta që duhet t’i marrë”.
E vetmja femër kryetare e ndonjë Komune në Kosovë, tha se kryetari i saj i partisë, Behgjet Pacolli, ka qenë i informuar qysh në fillim të këtij rasti dhe është treguar shumë përkrahës.
“Zoti Pacolli ka qenë i informuar qysh moti dhe ka qenë i shokuar njëjtë si bashkëpunëtorët e tjerë në komunë, kam pasur përkrahje morale dhe puna kryesore është për organet e rendit”.