Kusari-Lila njofton se ka vazhduar masën mbrojtëse për karburantet

E publikuar: 04/04/2026 15:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar sot, se të premten ka nënshkruar vazhdimin e masës mbrojtëse për produktet e naftës, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të konkurrencës në vend.

Kusari-Lila ka njoftuar se vendimi është marrë më 03.04.2026, është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyn në fuqi, sot më 04 Prill 2026.

Sipas vendimit në fuqi dhe sipas të dhënave aktuale, Kusari-Lila thotë se nafta ka hyrë në doganë me çmim prej 1.77 euro për litër, ndërsa me akcizë dhe TVSH mund të shitet jo më shumë se 1.91 euro për litër.

Derisa benzina ka hyrë në doganë me 1.30 euro për litër, ndërsa në tregun vendor mund të shitet jo më shumë se 1.44 euro për litër.

“Me këtë vendim marzha e përcaktuar tregtare maksimale të lejuar mbetet si në vijim:Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër. Shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër.Ky vendim parashikon mbikëqyrje të shtuar nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe koordinim të ngushtë me Autoritetin e Konkurrencës”, ka shkruar ajo.

Në fund Kusari-Lila ka thënë se u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që ta respektojnë këtë vendim.

“Çdo shkelje do të trajtohet me masa ndëshkuese, duke përfshirë edhe ndëshkime retroaktive nga Inspektorati i Tregut dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, ka shkruar ajo.

Me 3 prill, çmimi maksimal i naftës ka qenë 1.83 euro.