Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa nuk kanë lëvizur nga qëndrimi për të mos hyrë në pushtet me koalicionin PDK-AAK-Nisma.
“Nuk ka lëvizje nga qëndrimet e subjekteve që janë në koalicion me LDK’në… Neve nuk ka askush pse të na bind se na duhet një qeveri të tillë. Ata deri tani kanë thënë se janë fitues dhe se i kanë numrat. Por është evidente që nuk i kanë numrat. Në këtë konstalacion nuk ka hapësirë për bashkëpunim”, ka deklaruar Kusari-Lila në TV Dukagjini.
Më tej, ajo ka thënë se partnerët e koalicionit LAA janë të vendosur për të mos hyrë në koalicion me PAN’in.
“Duhet të mbahet seanca sa më shpejt, duhet të zgjidhet kryetar i Kuvendit dhe pastaj duhet të shihet se kush i ka votat për Qeverinë. Bllokues nuk janë të tjerët, bllokues është PAN’i… numrat nuk janë dhe kjo është evidente”, ka shtuar Kusari-Lila, duke u shprehur e sigurt se nuk do të jetësohet qeveria e PAN’it.
Ajo ka thënë se PAN’i nuk e ka as forcën politike dhe as vizionin për të qeverisur.
Kurse e pyetur rreth ultimatumit të kryetarit të AKR’së, Behgjet Pacolli, për LDK’në dhe Lëvizjen Vetëvendosje, deputetja Kusari-Lila ka thënë se nuk e ka parë ende intervistën dhe se nuk e di saktësisht çfarë ka thënë Pacolli.