
Flutura Kusari, juriste e mediave (Foto: FB)
Juristja e mediave, Flutura Kusari ka shkruar lidhur me intervistimin e kandidatëve për anëtar të bordit të RTK-së dhe KPM-së.
Përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, se Kuvendi për të zgjedhur borde kualitative, fillimisht deputetët duhet të kenë kohë: 1) të shqyrtojnë aplikimet/CV-të dhe 2) të zhvillojnë intervista kualitative.
“Deri më tani asnjë deputet nuk i ka pranuar CV-të e kandidatëve të KPM-së, ndërsa ato të RTK-së po, ndonëse ende nuk i kanë shqyrtuar sepse kanë pasur seancë plenare dhe mbledhje të komisioneve”, ka shkruar ajo.
Sipas saj intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht, sepse disa deputetë shërbejnë në dy komisione.
Postimi i tij i plotë:
Rreth intervistimit të kandidatëve për anëtarë të bordeve të RTK-së dhe KPM-së
Deri në shpërndarje të Kuvendit, nëse nuk kemi president, kanë mbetur pak a shumë edhe dhjetë ditë pune. Ky afat kohor është me rëndësi për proceset e rekrutimit dhe ja pse.
Për të zgjedhur borde kualitative, fillimisht deputetët duhet të kenë kohë: 1) të shqyrtojnë aplikimet/CV-të dhe 2) të zhvillojnë intervista kualitative. Deri më tani asnjë deputet nuk i ka pranuar CV-të e kandidatëve të KPM-së, ndërsa ato të RTK-së po, ndonëse ende nuk i kanë shqyrtuar sepse kanë pasur seancë plenare dhe mbledhje të komisioneve.
Të martën (nesër) mbahet takimi për anëtarët e KPM-së (ende nuk është caktuar ora, por është thënë që pasdite), si dhe takimi për anëtarët e RTK-së (në ora 10). Në këto takime vendoset metodologjia, kontrollohen të gjitha dosjet e aplikuesve, pra në total rreth 108 kandidatë për dy proceset, dhe caktohen intervistat. Te intervistat janë disa elemente me rëndësi lidhur me kohën në dispozicion.
Intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht, sepse disa deputetë shërbejnë në dy komisione. Rrjedhimisht, i njëjti deputet s’mund të jetë në dy komisione në të njëjtën ditë dhe kohë.
Elementi tjetër është që intervistimi duhet të bëhet në mënyrë profesionale; intervista duhet të zgjasë të paktën 30 minuta (sipas praktikës së Kuvendit) që t’u japë hapësirë kandidatëve t’i shpalosin planet e veta.
Nëse një intervistë mbahet minimalisht 30 minuta (e jo 15 minuta sa për sy e faqe), komisionit për KPM i duhen 2.5 ditë pune: një ditë pune ka 7 orë (nëse nuk llogaritet pauza), për 7 orë mund të intervistohen 14 kandidatë. KPM ka 33 kandidatë, që i bie se duhen minimalisht 2.5 ditë. RTK-ja ka 75 kandidatë, që i bie rreth 5.5 ditë pune, pra një javë.
Në total, për të dy proceset duhen 8 ditë pune. Pastaj duhen edhe 1 ditë për përgatitjen e raportit për seancë plenare dhe 1 ditë për votim.
Nëse sot mbahen takimet, intervistat mund të fillojnë të mërkurën, sepse do të ishte absolutisht e papranueshme nëse thirren kandidatët sot për nesër. Do të ishte përqeshje e këtij procesi dhe nivel i ulët i profesionalizmit nga ana e Kuvendit. Njerëzit kanë plane, mund të jenë jashtë shtetit, mund të kenë halle personale dhe sigurisht që jetën nuk e orientojnë ashtu që të jenë 24 orë në dispozicion për një telefonatë nga Kuvendi.
Koha nuk është në anën e Kuvendit që këto procese të kryhen në mënyrë profesionale, siç e meritojnë, dhe çfarëdo nxitimi do t’i dëmtonte përgjithmonë këto procese. Këtu duhet t’i shtohet fakti që anëtarë e kaluar në dy bordet e dy institucioneve iu vetënënshtruar VV-së (me disa përjashtime të vogla por domethënese). Prandaj unë kam pak besim që do të zgjedhen persona sipas meritës por po e presim procesin për me japë vlerësim të plotë. (lexoni shkrimin e Xhemes për këto procese https://sbunker.org/…/bordet-e-rtk-sedhe-kpm-se-nje…/).
Proceset janë duke u monitoruar nga AGK, FOL, IKD dhe unë. Tash, meqë po raportoj live, po ndiej obligim me kallëzu që e kam zor me i përcjellë krejt intervistat për katër arsye: një anëtar i familjes më është operu sot, e kam në përkujdesje një anëtare të vockël të familjes, i kam tri udhëtime jashtë vendit të punës në dy javët e ardhshme, kështu që çka mbërrij, mbërrij. Amo me ju inform ju informoj!
Për juve live nga Prishtina,
Flutura Kusari

















