Qeveria e Kosovës pritet të marrë masa të reja për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit në Kosovë pas rritjes së numrit të rasteve, raporton portali Front Online.
Njëra nga masat që pritet të aprovohet nga Qeverisa është vetizolimi i qytetarëve të Kosovës të cilët vijnë nga vendet që kanë numër te madh të të infektuarve siç është Shqipëria, Maqedonia e vendet e tjera të rajonit.
E lidhur me këtë propozim- vendim i cili pritet që të votohen në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, për Front Online, ka folur kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj.
Ai tha se në rast se Qeveria e merr një vendim të tillë, do të këtë vdekje përfundimtare të bizneseve dhe turizmit.
E për të mos ndodhur kjo, Kurtishaj tha se Qeveria do të duhej ta lufton pandeminë e Coronavirusit brenda Kosovës, pasi që siç tha ai, mbyllja nuk është zgjidhje.
“Unë nuk mund ta besoj se ky vendim do të merret që qytetarët që kthen nga Shqipëria do të futen në karantinë pasi që do të kemi vdekje përfundimtare si të bizneseve dhe si të turizmit, andaj shpresat tona janë të mëdha që Kryeministri do të gjej mekanizma për ta luftuar Coronavirusin brenda Kosovës, por pa bërë shumë mbyllje sepse mbyllja nuk është zgjidhje, mbyllja për turizëm nuk është zgjidhje, por është dëmtim”, tha ai për Front Online.
Kurtishaj tha se Qeveria para se ta merr këtë vendim nuk është konsultuar me bizneset.
Ai tha se një gjë të tillë është dashur ta bëjnë, pasi që kohen e fundit janë marrë disa vendime të ngutshme të cilat I kanë dëmtuar bizneset.
“Unë nuk kam informacion lidhur me këtë vendim, unë ju them se nuk janë konsultuar me neve sigurisht se ne do ti përdorim të gjitha mekanizmat ligjorë për ta adresuar këtë çështje, sepse kohen e fundit po merren disa vendime të ngutshme pa u konsultuar bizneset”, tha ai për Front Online.
Kurtishaj tha se në rast se miratohet vendimi për izolimin e qytetarëve pas kthimit nga Shqipëria, apo vendet tjera, do ta kundërshtojnë si biznese duke i hedhur çelësat në zyrat e Qeverisë.
Ai tha se përveç kundërshtimit që do ta bëjnë si biznese, vendimi nuk do të zbatohet as nga qytetarët.
“Unë sot kam marrë shumë telefonata nga operatorët, disa prej tyre kanë reaguar edhe në facebook, kanë bërë njoftimin se nëse kjo do të ndodhë do të mbledhin autobus dhe do të dërgohen çelësat te Qeveria”, tha ai për Front Online.