Kurti zhvilloi takim me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, ja për çka u diskutua

E publikuar: 30/05/2024 23:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

Ky takim u zhvillua në prag të vizitës zyrtare të Kurtit në Ankara dhe Stamboll ditët e ardhshme, ku në mesin e agjendës do të ketë mundësi të zhvillojë dhe një takim bilateral me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

Në Stamboll do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

Gjatë bashkëbisedimit, u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta edhe në fushat e kulturës, mbrojtjes dhe investimeve. Dy vendet ndajnë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale andaj dhe thellimi e përforcimi i tyre mbetet objektiv i dyanshëm.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë e popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Evropës.