Kurti vendosi lule te busti i Rugovës, Gashi: Istogu nuk harron se dikur ai çirrej kundër tij, siç çirret sot kundër LDK-së

E publikuar: 17/01/2025 10:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për deputet nga LDK, Arben Gashi thotë se Istogu, vendlindja e Presidentit historik Ibrahim Rugova, ideatorit të shtetit dhe krijuesit të aleancave me fuqitë e mëdha, është shembulli i urtësisë dhe mençurisë së vetë Presidentit Rugova.

Ai përmend vendosjen e luleve të busti i Rugovës nga kryeministri Albin Kurti, ku thotë se “mos t’i shkojë mendja se vendlindja e Ibrahim Rugovës harron se dikur ai çirrej kundër tij, ashtu siç çirret sot çdo ditë kundër LDK-së”.

“Dje, atje, ai që sot veç çirrja i ka mbetur, paska vendosur lule te busti i Presidentit Rugova. Por mos t’i shkojë mendja se vendlindja e Ibrahim Rugovës harron se dikur ai çirrej kundër tij, ashtu siç çirret sot çdo ditë kundër LDK-së”.

Sipas Gashit, ai e kupton përditë e më shumë se Istogu dhe e gjithë Kosova tashmë e njohin fytyrën e vërtetë të përçarësit dhe mashtruesit të madh.

“Prandaj, ai e di mirë të vërtetën e 9 shkurtit. Të vërtetën e rikthimit të LDK-së, që askush nuk mund ta ndalë. 9 shkurti është dita jonë! Pasardhësit e Ibrahim Rugovës janë ngritur në këmbë në gjithë Kosovën për fitoren e saj”, thotë Gashi.