Kurti thotë se kanë mundësuar punësimin e 3500 grave e subvencionuar bizneset e tyre me gjysmë milioni euro

E publikuar: 09/12/2022 15:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në kuadër të fushatës së 16 Ditëve të Aktivizimit – Fushatës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, ka  prezantuar raportin monitorues dhe vlerësues të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2021.

Kryeministri Albin Kurti tha se programin për barazi gjinore është miratuar në vitin 2020 në kohë kur ka pasur sfida të shumta.

Sipas tij, përmes integrimit gjinor janë punësuar 3500 gra si dhe ato gra që kanë bizneset e tyre janë subvencionuar me afro gjysmë milion euro.

“Këtë program e kemi miratuar në maj 2020 në një periudhë pandemie. Përmes integrimit gjinor në këtë pako kemi mbështetur punësimin e grave nga të cilat kanë përfituar 3 500 gra dhe 1 400 biznese. Kemi mbështetur biznese që janë në pronësi të grave në vlerë subvencionimi afro gjysmë milion euro”.

“Në bujqësi për vitin 2021 kemi ndarë subvencione për 1 325 gra përfituese. Kemi 200 minë përfituese për shtesat për fëmije dhe mbi 23 mijë për lehonat. Qeveria jonë ka treguar përkushtim ndaj parandalimit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave. Mbetemi të përkushtuar që ta rritim numrin e grave në vendimmarrje”, tha ai.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Bardhyl Dobra, tha përfaqësimi i grave në shërbimin është brengosës, por sipas tij, me Ligji për zyrtarët publik do ta rregulloj këtë çështje.

“Janë burrat ata që dominojnë në tregun e punës një gjë e tillë dëshmohet se mbizotëron edhe në sektorin publik. Përfaqësimi i grave në shërbimin civil është shumë i ulët madje shifrat janë brengosëse. Në nivelin e lartë menaxherial gratë përbejnë 19% të punësimit dhe vetëm 16% në nivelin e mesëm drejtues. I’u bëjë thirrje grave dhe vajzave pa dallim që të aplikojmë në pozitat e punës që publikohen”, tha ai.

Zëvendësministrja e Kulturës, Riniss dhe Sportit Daulina Osmani, tha se po i përkrahin vazhdimisht vajzat në fushën e sportit.

“Dua ta vlerësoj punën e gjithë atyre në fuqizimin e vajzave dhe grave. Ato janë shtyllë kryesore për vlerat shoqërore. Çdo ditë e më shumë shohë që fuqia e gruas është vendimtarë për zgjedhje. Sot grat dhe vajzat i gjejmë të angazhuara si brenda dhe jashtë vendit. Pa dyshim që kemi edhe shumë punë parapara vetës. Dua t’i falënderoj të gjitha vajzat që merren me sport pavarësisht vështirësive ato vazhdojnë të luajnë”.

Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, prezantoi të dhënat 2 vjeçare të raportit monitorues dhe vlerësues të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore  2020-2021, tha se të gjeturat e këtij raporti tregon një sukses të jashtëzakonshëm, raporton EO.

“Programi i Kosovës për barazi gjinore është i planifikuar në 3 shtylla. Fuqizimi ekonomik dhe  mirëqenia sociale. Shtylla e dytë është zhvillimi njerëzor dhe e treta është të drejtat e grave qasja në drejtësi she siguri. Sa i përket arritjes janë se për shtyllën e parë, numri i caqeve ishte 10, numri i të arriturave 4. Tek shtylla e dytë janë planifikuar 12 caqe, 8 prej tyre janë arritur”.

“Sa i përket shtyllës se tret nga 12 caqet e planifikuara 6 janë arritur.  Sa i përket shtyllës së parë niveli i realizimit të aktiviteteve është 69%. Tek shtylla e dytë në total është realizuar në nivel prej 67%. Tek shtylla e tret 61%. Kjo tregon një sukses të jashtëzakonshëm duke pasur parasysh efektin e Covid-19”, tha ajo

Në këtë takim u prezantuan edhe të dhënat preliminare për dy hulumtime: “Roli i grave në pozita vendimmarrëse në sektorin publik dhe privat” si dhe “ Stereotipat gjinore dhe barrierat që pengojnë qasjen e barabartë në sport”.