Albin Kurti
Kryeministri Albin Kurti në Ditën e Punëtorëve ka folur “një sërë hapash, vendimesh e iniciativash” që tha se i ka marrë Qeveria e tij për punëtorët
Kurti thotë se vendimet e Qeverisë kanë prekur direkt jetën e punëtorëve.
“Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve. Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai përmendi punësimin e të rinjve që tha se u bë përmed platformës “Superpuna”, rritjen e pagave në sekyorin publik, si dhe planin që ta rrisin numrin e inspektorëve të punës.
“Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm”, shkroi Kurti
Postimi i kryeministrit:
”8 orë punë, 8 orë argëtim dhe 8 orë pushim”, ishte slogani i kërkesës në kundërshtim të eksploatimit të punëtorëve që për herë të parë u bë publikisht në Australi më 1885. Një vit më vonë në po këto kërkesa kujtojmë rezistencën e njohur të punëtorëve në Çikago. Sot e asaj dite me 1 Maj shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, jo vetëm duke i kujtuar ata, por edhe duke u angazhuar për barazi, të drejta dhe kushte më të mira të punës e jetesës.
Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve. Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë.
Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm.
Gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi).
Po ashtu, kemi rritur pagat në sektorin publik dhe përmes pakove të ndërmarra nga Qeveria kemi mbështetur rritjen e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat.
Punësimi ka qenë njëri prej prioriteve tona kryesore dhe së bashku me të esenciale janë edhe të drejtat në punë. Në këtë drejtim në vitin e kaluar janë bërë 6316 inspektime nëpër biznese që synim kanë pasur monitorimin e respektimit të Ligjit të Punës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 153 gjoba për mosrespektim të këtyre ligjeve.
Kosova ka vuajtur edhe nga papunësia edhe nga shkelja e të drejtave në punë. Jemi duke u përpjekur që krahas zgjerimit të punësimit, të eliminojmë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën e kemi gjetur punëtorin, por do të vazhdojmë të jemi të pakompromis në rregullimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të tij të garantuar me Kushtetutë.
Urime 1 Maji i punëtorëve!