Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ekipin menaxhues, i cili ka propozuar draft-statutin për Asociacionin.
Kurti tha se ky ekip menaxhues e ka kryer funksionin e vet dhe se krejt çka pati për të thënë i tha më 2 maj në Bruksel. Andaj, sipas tij, lirimi nga detyra i këtij ekipi është proces i natyrshëm dhe i logjikshëm.
“Ekipi menaxhues e ka kryer funksionin e tij, s’kemi arsye ta dëgjojmë më, krejt çka pati për të thënë i tha më 2 maj në Bruksel. I ka përfunudar puna dhe lirimi nga detyra është proces i natyrshëm dhe i logjikshëm”, ka thënë Kurti, njofton Klankosova.tv
Kurti theksoi se ky draft-statut i është prezantuar në Bruksel më 2 maj, duke shtuar se nuk ka qenë i kënaqur me atë që iu prezantua, pasi tha se shihej një dëshirë e madhe e tyre për të krijuar një Republika Srpska në Kosovë, gjë që, sipas Kurtit, nuk do ta lejojnë.
“Me durim e vëmendje e dëgjuam ekipin menaxhues dhe ka qenë kërkesë e partnerëve tanë evropiane e amerikanë që ne ta dëgjojmë prezantimin që do të bëjë ekipi menaxhues. Nuk kemi qenë të kënaqur me faktin që ky ekip menaxxhues nuk e takoi së pari ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, i cili vjen nga një komunitet joshumicë, përkundër që ky i kishte bërë ftesë atyre më 18 prill. Shkuam në Bruksel e dëgjuam prezantimin e draft-statusit, ishin dy zonja nga katër anëtarë, që e prezantuan thelbin dhe na përcollën pastaj në 6-7 nene, pas një pauze 10-15 minutash e pamë që në ato nene bëhej fjalë për një dëshirë të madhe për një Republika Srpska në Ksoovë, andaj me të filluar bisedat në vijim e thamë që shprehim mospajtimin tonë fundamental me këtë draft-statut”, u shpreh Kurti.
Ai tha se menjëherë pas kësaj, ai e dha një propozim se si do të duhej të rregullohej neni shtatë, që flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, brenda idesë së marrëveshjes kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtje të komuniteteve jo shumicë dhe nenin 10 për të gjitha marrëveshjet e mëhershme.
Kurti tha se për këtë propozim të tij ndërmjetësit nuk dhanë ndonjë vlerësim, ndërkaq pala serbe nuk e mori as për ta lexuar.
“Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për atë, mirëpo pala serb s’pranoi ta marrë as për lexim. Ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues, e kemi lexuar propozimin dhe e kemi dhënë vlerësimin tonë, ndërkaq ne nuk patën vlerësim”, u shpreh ai.
Ai tha se neni shtatë është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicën serbe. Sipas tij, një model të tillë për Kroacinë e ka pranuar Serbia, andaj tha se nuk do të kishte arsye pse të mos e pranonte edhe për Kosovën./Klankosova.tv