Pas situatës së krijuar nga COVID-19, Qeveria e Kosovës ndërmori një sërë masash në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.
Përpos kësaj, Qeveria e Kosovës mori vendim për krijimin e një Pako Emergjente që të ndihmohen thuajse të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyra të ndryshme.
Duke filluar nga ata që marrin social, pensionerët, punëtorët e bizneseve, por edhe shtesa për policët, mjekët, infermierët e shumë të tjerë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë qëndrimit të sotëm në Gjakovë u pyet se kur do të fillojë funksionalizimi i kësaj pako, apo shpërndarja e këtyre parave të parapara tashmë me ligj, raporton Indeksonline.
Ai tha se pako është përgatitur, por që dy ministrat përkatës po përkujdesen nga afër për detajet.
“Ne e kemi përgatitur Pakon Emergjente Fiskale dhe dy ministrat në veçanti ai i Financave, Besnik Bislimi, por edhe ajo e Ekonomisë Rozeta Hajdari janë në kontakt të rregullt me të gjitha kategoritë të cilat do t’i ndihmojnë. Jemi përpjekur që të mos jenë vetëm masa ekonomike, por socio-ekonomike , pra edhe sociale që jo vetëm bizneset pro të ndihmohen edhe punëtorët drejtpërsëdrejti”, tha ai.
Tutje Kurti tha se është mirë që të përcillen edhe publikimet që ata i bëjnë, por edhe të kontaktohen direkt për hollësitë të cilat janë paraparë./Indeksonline/