Kurti: Thaçi është në terr shtetëror, 1 mijë testet nga Serbia nuk duhet të politizohen

E publikuar: 20/04/2020 13:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka një president i cili është figurë ceremoniale dhe në terr shtetëror.

“Kosova ka një president jashtë detyrës me këtë intencën për të formuar dhe drejtuar vullnet politik në Kosovë. Presidenti i republikës parlamentare demokratike, sikurse është shteti i pavarur i Kosovës, është një figurë ceremoniale në terr shtetëror i cili nuk është njëra nga shtyllat e pushtetit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se është e qartë se presidenti nuk është i kënaqur me kompetencat që ka.

“Ato janë të tilla sipas kushtetues dhe këtë është dashur ta mendojë atëherë kur është interesuar që të bëhet president”, ka thënë Kurti.

Kryeministri në detyrë shtoi se po punojnë me gjithë kapacitetin në luftimin e përhapjes së coronavirusit.

Duke folur për marrjen e 1 mijë testeve nga Serbia, Kurti tha se me këtë gjë Serbia nuk ka rregulluar imazh.

“1 mijë testet nuk duhet të politizohen, Serbia nuk ka rregulluar imazh me këtë, nëse ka rregulluar imazh e ka bërë me ato marrëveshjet në të cilët përfaqësuesit e Kosovës nënshkruheshin. Ne e kemi dëshmuar që nuk bëjmë dallime te qytetarët, as sipas moshës, partisë, komunës, fesë, etnisë…”, ka thënë Kurti para medieve, transmeton Telegrafi.

Ai shtoi se në rast se Qeveria e Kosovës do të refuzonte marrjen e këtyre testeve do të akuzohej për sjellje irracionale dhe politizim.

“Nuk kemi nevojë tu ndihmojmë atyre që i dhanë 1 mijë teste për qëllime politike. Kjo ka mundur të jetë fare lehtë një lloj kurthe, ku një grup i serbëve nga ndonjë komunë të nxitur nga ndonjë strukturë të ankohej se nuk po mund të testohej, e pastaj ministri në detyrë Vitia do të shfaqej para jush përditë duke testuar ndonjë qytetarë”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se duan raporte të mira fqinjësore e bashkëpunim rajonal në luftimin e coronavirusit. /Telegrafi/