Kurti takoi veprimtarë të ‘68-ës e ‘81-ës, kërkohet dokumentimi i krimeve serbe

E publikuar: 15/04/2024 22:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim mbi 20 veprimtarë të viteve 1968 dhe 1981, dikur studentë e të burgosur politikë të regjimit të Serbisë.

Teksa diskutuan e kujtuan përndjekjen politike, torturat e tmerrshme, dhunën sistematike që ish-regjimi ushtroi mbi aktivistë e veprimtarë shqiptarë dhe masakrat e shumta, u theksua domosdoshmëria e dokumentimit në mënyrë shkencore të krimeve të shumta të para dhe gjatë luftës, përfshirë torturat që aktivistët shqiptarë përjetuan në burgje.

Në këtë drejtim, veprimtarët dhe ish-të burgosurit politikë mund të luajnë një rol të rëndësishëm, u tha në takim.

Gjithashtu u potencua rëndësia e informimit të brezave të rinj mbi kauzën që kanë ndjekur të burgosurit politikë, ndikimin e demonstratave 1968, 1981, 1989 dhe 1997, si dhe rolin e tyre në mobilizimin e shoqërisë për Kosovën shtet.

Kosova ka formuar Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili dokumentimin e krimeve të luftës do ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjeko–ligjor dhe sociologjik.

Instituti do të bëjë grumbullimin e të dhënave për humbjen e njerëzve, dëmet fizike, pronësore e kulturore. Po ashtu, do të identifikojë viktimat dhe përgjegjësit e krimit, kohën, vendin dhe rrethanat në të cilat janë kryer krimet përmes fushatave hulumtuese në terren dhe intervistimit të dëshmitarëve.