Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi gratë e Krushës së Vogël.
Gjatë kësaj vizite, Kurti shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe takimin me 16 gra ndërmarrëse të këtij fshati, të cilat po vazhdojnë punën për rritjen e mirëqenies familjare.
Kryeministri ritheksoi se familjet e të zhdukurve janë lart mes prioriteteve e në përkujdesjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në vizitën e përbashkët me Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti dhe Edi Gusia, u.d. Drejtore Ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore, u bisedua për arritjet dhe planet e ardhshme të këtyre nismave të vetëpunësimit.
“Qeveria ka ndarë buxhet prej 500 mijë euro për zbatimin e kësaj mase për familjet që janë aktualisht në listën e pensioneve për personat e zhdukur gjatë luftës. Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet Agjencisë për Barazi Gjinore, me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, do të ndajë subvencione me qëllim të fuqizimit dhe pavarësimit ekonomik të grave dhe vajzave. Të drejtë aplikimi kanë personat fizikë, gra apo vajza që gëzojnë pension për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, apo një anëtare (grua/vajzë) nga familja e ngushtë e personave që gëzojnë pension për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të cilat ndërmarrin nisma vetëpunësimi prej të cilave punësohen dhe sigurojnë mirëqenien familjare dhe/apo të të ardhurave për përmbushjen e nevojave bazike. Thirrja e dytë për aplikime është e hapur deri më 4 shtator 2024”, thuhet në komunikatë.