Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar Raportuesin Special të Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, reparacioneve dhe granatimit të mos-përsëritjes, Fabian Savioli.
Temë e këtij takimi ishte angazhimi i qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovës dhe nismat për drejtësi tranzicionale.
“Z.Savioli shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e treguar nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe shprehu solidaritetin me viktimat dhe popullin e Kosovës”.
“Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ballafaqim me të kaluarën dhe për drejtësi. Ai tha se na duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat e të mbijetuarat/it, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Më tej, Kurti foli edhe për ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë për raste të krimeve të luftës, duke qenë se sipas tij, shumica e kryerësve të krimeve të luftës në Kosovë ndodhen në Serbi dhe Serbia refuzon t’i dorëzoj ata para drejtësisë.
“Kryeministri Kurti theksoi çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre. Ai ritheksoi domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.