Kurti takohet me ministrin austriak, bisedojnë për bashkëpunim mes dy shteteve

E publikuar: 14/06/2022 21:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg.

Kurti ka shprehur mirënjohje ndaj ministrit për ndihmën në ekonomi, tregti e kulturë dhe ka shpresuar që bashkëpunimi bilateral në këto fusha të rritet.

“Ai theksoi se Qeveria e Republikës se Kosovës është e gatshme për të shtuar bashkëpunimin me qëllim të rritjes së investimeve dhe shkëmbimeve tregtare. Duke theksuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitivë ekonomikë , kryeministri tha se Kosova dëshmon se qeverisja demokratike dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, gjatë takimit ka theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Austrisë në mbështetje të Kosovës.

Schallenberg ka thënë se dëshiron që Austria të jetë mes tre investitorëve kryesorë në Kosovë dhe që të rritet bashkëpunimi në ekonomi.

“Ministri vlerësoi potencialin e popullit të Kosovës, si më i riu në Evropë dhe tha se beson në mundësitë që ofron Kosova veçanërisht në fushën e teknologjisë se informacionit.Duke folur për energjinë e ripërtëritshme, ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Austrisë për të mbështetur Kosovën në këtë drejtim”, bën të ditur Qeveria.