Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim Michael Wood, nga Mbretëria e Bashkuar, i cili i ka prirë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në vitin 2010.
Kurti e falënderoi Woodin për kontributin e tij, veçanërisht në mbrojtjen ligjore të së drejtës ndërkombëtare të Kosovës, me rastin e shpalljes së pavarësisë.
“Opinioni këshillëdhënës i GjND-së i vitit 2010 që konkludon se pavarësia e Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, përbën një nga datat themelore të historisë së shtetit të Kosovës, andaj, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi të mirëpres e të takohet me z. Wood pikërisht në vigjilje të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, përcjell Klankosova.tv.
Gjatë takimit, Kurti e njoftoi atë për të arriturat në vend, për zhvillimet aktuale, për reformat e ndërmarra në funksion të zhvillimit ekonomik, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe për forcimin e demokracisë.
I pari i qeverisë diskutoi me Wood edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe procesin e dialogut, për të cilin kryeministri tha se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka qenë konstruktive dhe kreative në shërbim të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.
Në këtë takim, Wood u shoqërua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi.