Avokimi për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe rritja e investimeve amerikane në Kosovë, ishin temat kryesore që ngriti Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimet e ndara me kongresistin Mondaire Jones dhe me kongresistët në Kongresin amerikan, Robert Aderholt, Jim Himes, Lisa McClain dhe Ritchie Torres.
Nga zyra e kryeministrit bëjnë të ditur se Kurti e shprehu mirënjohjen për mbështetjen e kongresistëve për Republikën e Kosovës, si dhe për promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë për rajonin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Ai po ashtu theksoi angazhimin e Qeverisë dhe përparimin në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, duke veçuar ngritjen e Kosovës për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe renditjen si të parët në rajon sipas “World Justice Project”.
Tutje në njoftim thuhet se duke potencuar angazhimin e përbashkët në avancimin e parimeve demokratike, u bisedua për rëndësinë e rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit edhe në ekonomi, mbrojtje e siguri, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.