Jemi bashkë në angazhim e bashkëpunim, për jetësimin e objektivave të kësaj strategjie, me përgjegjësinë më të lartë ndaj atdheut, ndaj fëmijëve dhe të rinjve tanë, që t’u mundësojmë atyre arsimim e zhvillim cilësor, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kuti, në lansimin e Strategjisë së Arsimit 2022-2026, që u lansua sot me një ceremoni të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Kjo strategji është dokumenti kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në vendin tonë, në pesë objektiva strategjike, për periudhën e ardhshme pesëvjeçare, shtoi ai.
Edukimi në fëmijërinë e hershme; ngritja e cilësisë së arsimit parauniversitar; harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet e teknologjisë dhe tregut të punës; cilësia, integriteti dhe konkurrueshmëria e arsimit të lartë; si dhe përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim, në përputhje me trendet e transformimit digjital; janë shtyllat kryesore, për zhvillimin tonë të gjithmbarshëm, tha Kryeministri.
Kryeministri Kurti theksoi se arsimi cilësor është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, andaj Qeveria do të vazhdojë me investimet në këtë fushë.
Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1 mijë kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit. Digjitalizimi është ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha fushat, sigurisht në administratë, sigurisht në shëndetësi, sigurisht në industri, por posaçërisht në arsim. Për vitin akademik 2021/2022 i kemi ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, tha ai.
Kryeministri ritheksoi se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të fokusuara e të angazhuara për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të vegjlit e të rinjtë tanë, vajzat e djemtë, për të tashmen, por edhe për të ardhmen e tyre, të shoqërisë e shtetit tonë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj.Arbërie Nagavci,
E nderuar zëvendësministre Edona Maloku Bërdyna,
I nderuar zëvendësministër Dukagjin Pupovci,
Shkëlqesi ambasadorë të vendeve mike,
Shkëlqesia juaj, z.Jorn Rohde, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë,
Shkëlqesia juaj, z. Nicholas Abbott, Ambasadori Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë,
Shkëlqesia juaj, z. Antonello De Riu, Ambasador i Italisë në Kosovë,
Shkëlqesia juaj, z. Qemal Minxhozi, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, dhe
Shkëlqesia juaj, z. József Bencze, Ambasador i Republikës së Hungarisë në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues diplomatik të tjerë, të organizatave të ndryshme partnere vendore e ndërkombëtare,
Të nderuar rektorë, drejtorë të drejtorive komunale për arsim,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga Komisioni Parlamentar për arsim, kryetar dhe anëtare, z.Ardian Gola dhe znj.Albena Reshitaj,
Mësimdhënëse e mësimdhënës,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu, me juve bashkë, në lansimin zyrtar të Strategjisë së Arsimit 2022-2026 , që e miratuam muajin e kaluar në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kjo strategji është dokumenti kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në vendin tonë, në pesë objektiva strategjike, për periudhën e ardhshme pesëvjeçare. E para: Edukimi në fëmijërinë e hershme; bashkë me Ministren Nagavci, po vijmë prej vendosjes së gurthemelit të një çerdheje të re për fëmijë, ndërmjet Kolovicës dhe Kodrës së Trimave, këtu në kryeqytet, dhe këtë do ta vazhdojmë edhe në vijim, me ndërtime të reja e me cilësi shtesë. E dyta: ngritja e cilësisë së arsimit parauniversitar; jemi dëshmitar që shpeshherë kur studentët shkojnë në universitet për disa gjëra mund të jenë edhe ca vonë për shkak se arsimimi parauniveristar nuk ka qenë nganjëherë në cilësinë e duhur, e nganjëherë edhe jo aq. E treta: harmonizimi, apo urëzimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet e teknologjisë dhe tregut të punës; këtë hendekun e shkathtësive duhet ta urëzojmë. E katërta: cilësia, integriteti dhe konkurrueshmëria e arsimit të lartë; si dhe (5) përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim, në përputhje me trendet e transformimit digjital; gjithashtu janë shtylla kryesore, për zhvillimin tonë të gjithmbarshëm.
Të nderuar të pranishëm,
Arsimi cilësor është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, andaj do të vazhdojmë me investimet në këtë fushë. Në vitin 2022 kishim buxhetin shtetëror për 12% më të lartë, që ishte më i lartë sa sa rritja ekonomike e vendit, e këtë edhe për ta lehtësuar mësimdhënien e mësimnxënien, dhe për të ofruar mundësi të barabarta.
Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1 mijë kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit. Digjitalizimi është ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha fushat, sigurisht në administratë, sigurisht në shëndetësi, sigurisht në industri, por posaçërisht në arsim. Për vitin akademik 2021/2022 i kemi ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, apo STEM siç njihet shkurtimisht ndryshe.
Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të fokusuara e të angazhuara për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të vegjlit e të rinjtë tanë, vajzat e djemtë, për të tashmen, por edhe për të ardhmen e tyre, të shoqërisë e shtetit tonë. Është sistemi arsimor ai i cili duhet të zbulojë talentet e të rinjve tanë dhe t’i kultivojë ato ku tashmë janë zbuluar, ose do të zbulohen.
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni të falënderoj për punën dhe përkushtimin, të gjithë specialistët e specialistet e profileve të ndryshme që kanë marrë pjesë në hartimin e Strategjisë së Arsimit 2022-2026, dhe veçanërisht Qeverinë Gjermane që ka mbështetur procesin e planifikimit nëpërmjet GIZ Kosova.
Jemi bashkë në angazhim e bashkëpunim, për jetësimin e objektivave të kësaj strategjie, me përgjegjësinë më të lartë ndaj atdheut, ndaj fëmijëve dhe të rinjve tanë, që t’u mundësojmë atyre arsimim e zhvillim cilësor.
Ju falemnderit!