Albin Kurti EU1
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sërish se nuk do ta pranojë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe mbi bazat e identitetit etnik.
Kurti ka potencuar se s’mund të krijohet asnjë asociacion mbi baza etnike, pasi kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Propozimi franko-gjerman, që në thelb është propozimi i Brukselit, i mbështetur së tepërmi nga Berlini dhe Parisi, por edhe nga Uashingtoni, është një bazë e mirë për vijimin e diskutimeve për marrëveshjen përfundimtare, që do të thotë normalizim i plotë mes marrëdhenieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Do të ketë edhe detaje të tjera të kësaj marrëveshjeje, por kryesorja duhet të jetë njohja reciproke. Në këtë propozim, parashikohen gjithashtu edhe diskutimet rreth të drejtave të pakicave, dhe në këtë pikë Beogradi mund të shprehë kërkesën e tij për temën që ata e quajnë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e cila është një formë për të adresuar çështjen e pakicës serbe”, ka thënë Kurti për Deutsche Wellen.
“Nga ana tjetër, Kosova ka një kushtetutë shumë demokratike dhe progressive. Kapitulli i tretë, nga Nenet 57-62, parashikojnë një gamë të gjerë të drejtash për pakicat në Kosovë, sepse ne nuk kemi vetëm një pakicë. Shqiptarët e Kosovës përbëjnë 92% të popullsisë, dhe rreth 8% përbëhet nga pakicat. Pakica serbe, por edhe ato boshnjake, rome, egjiptiane, ashkalinjtë dhe goranët. Pra, ne kemi shumë pakica dhe mandate në parlament për këto pakica. Gjithsej ka 11 komuna me shumicë nga këtopakica, sipas propozimit të Martti Ahtissarit. Ka një mundësi për bashkëpunim ndërkomunal, por jo për asociacion mbi baza etnike. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016”.