Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së punimeve në Pishinën Gjysmëolimpike në Podujevë, ka vlerësuar rëndësinë e sportit në zhvillimin e vendit dhe ndikimin e tij në pavarësinë dhe shtetndërtimin demokratik të Kosovës.
Ai tha se sporti ka luajtur një rol të veçantë që nga kohët e para të klubit futbollistik Llapi dhe ka kontribuar në zhvillimin e komunitetit dhe identitetin kombëtar.
Kurti ka theksuar se investimet në infrastrukturën sportive janë një mënyrë për të lënë pas një pjesë të borxhit ndaj komunitetit sportiv dhe për të inkurajuar zhvillimin e talenteve të reja.
“Besoj që sporti ynë është më i veçantë se shteti ynë, sepse ishim që para të klubit futbollistik Llapi, i cili ka mbushur 93 vjet. Pavarësia e Kosovës, shtetndërtimi ynë demokratik ka kontribuar shumë në sport. Ne po përpiqemi me gjithçka që dimë e mundemi të ia lëmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që ia kemi atyre dhe besoj që këtu po e bëjmë si asnjë qeveri para nesh”, tha ai.
Ai theksoi punet pishinën janë duke u kryer me standarde të larta dhe dimensione të përshtatura për përdorim lokal dhe zhvillim të sportit.
“E pashë një dinamikë të jashtëzakonshme këtu. Kemi që para pak se gjashtë muajve, përkatësisht më datën 16 qershor, kur ishte edhe Dita e Çlirimit të Podujevës. Do të jenë dy pishina, njëra është 25 metra me 16 metra. Kjo është pishinë gjysmëolimpike, përreth saj do të jetë edhe një pishinë për fëmijët më e vogël me dimensione 15 metra me 7 metra”, tha ai.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se në stadiumin “Zahir Pajaziti” kanë nisur punimet e fazës përfundimtare për tribunat, vendosjen e mbulimit dhe ndriçimit, duke mundësuar zhvillimin e ndeshjeve edhe gjatë natës.
Sipas tij, vlera e investimit në këtë fazë është 2 milion euro dhe stadiumi do të kompletohet brenda një viti.
“Te stadiumi i qytetit Zahir Pajaziti kanë nisur punimet e fazës përfundimtare ku kompletojmë stadiumin, bëhen tribunat, vendoset mbulimi dhe vendoset ndriçimi, sepse nuk ka ndriçim stadiumi për të mundësuar lojat gjatë natës. Brenda një viti do ta kemi të kompletuar stadiumin. Vlera e investimit në këtë fazë është 2 milion euro në stadium”, tha ai.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, foli për punimet e Pishinës Gjysmëolimpike dhe investimet në këtë projekt.
“Kur jemi këtu te pishina gjysmëolimpike, vlera e totalë e investimit është 4 milion euro. Punimet kanë nisur sivjet gjatë verës në muajin qershor dhe shihni, brenda pak muajsh është një diamant i jashtëzakonshëm i punimeve. Kontrata është trevjeçare dhe punët do të kryhen më herët. Përveç Podujevës, e kemi edhe një pishinë në Deçan gjysmëolimpike. Shumë shpejt do ta shpallim edhe konkursin e projektimit për qendrën akuatike të Kosovës. Janë pishina olimpike, të cilat janë hapësira në përgatitje të standardeve mesdhetare, Prishtina 2030”, tha ai.
Kurti bashkë me kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe ministri në detyrë i Kulturës, Çeku, pishinën e vizituan pas ceremonisë së vendosjes së gurthemelit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në këtë komunë.


















