Kurti s’po mund t’na nxjerrë në dritë, vazhdojnë reduktimet 6 me 2

E publikuar: 19/08/2022 15:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin kurti

Albin kurti

Kosova po përballet me terrin edhe në pikë të verës, kur zakonisht vendi ka tepricë të energjisë. Reduktimet po vazhdojnë tash e pesë ditë, pavarësisht se u tha se është kthyer furnizimi i rregullt me energji. Plani i reduktimeve është 6 me rrymë e 2 pa të. Por, deri kur do të vazhdojnë këto reduktime? Nga KEDS kanë thënë se presin përmirësim të situatës, derisa nga KEK kanë deklaruar se po vazhdojnë të marrin rrymë nga energjia e depozituar në Shqipëri.gazetaexpress

Vetëm një ditë pasi Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) shpalli kthimin e reduktimeve me rrymë, Ministria e Ekonomisë doli me një njoftim ku e paraqiti si të zgjidhur këtë problem.

U tha se me rrymën e pranuar nga Shqipëria, u kthye furnizimi i rregullt me energji.

Madje, u paraqit sikur Shqipëria po ia falë këtë energji Kosovës, pavarësisht se vetëm po ia kthente energjinë që Korporata Energjetike e Kosovës e kishte depozituar në Korporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë, për disa muaj.

“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjetike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike. Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim”, njoftoi Ministria.

Por, reduktimet vazhduan sërish të nesërmen e po vazhdojnë edhe sot. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga KEDS.

Zëdhënësi i KEDS’it, Viktor Buzhala, ia thënë se ka kufizime të energjisë 2 orëshe, por s’dinë se a do të vazhdojnë dhe deri kur.

Ka deklaruar se pret përmirësim të situatës, pasi siç ka thënë, Komiteti për Energji ka njoftuar që do të ketë mjete për import që i janë ndarë KEK-ut.

“Po, ka kufizime te energjisë elektrike nga 2 orëshe. Nuk e dimë a do të vazhdojnë dhe deri kur. Jemi në pritje te përmirësimit të situatës, pasi Komiteti për Energji ka njoftuar qe do të ketë mjete për import qe i janë ndarë KEK-ut”, tha Buzhala.

Ndërkohë, vendi po vazhdon të pranojë energji nga sasia që ka depozituar në Shqipëri.

Skënder Bucolli nga Zyra për Media e kësaj ndërmarrje ka thënë se vetëm gjatë katër ditëve të fundit kanë pranuar 3 mijë e 500 MWh energji.

Thotë se vazhdojnë të depozitojnë sa herë që kanë teprica.

“Në kohën kur në vendin tonë rritet konsumi, KEK po vazhdon të pranoj një sasi të caktuar të energjisë elektrike nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Kjo sasi po merret nga depozitimi që KEK-u kishte bërë për disa muaj në KESH dhe po vazhdon të depozitoj sa herë që KEK-u ka teprica. E gjithë kjo me qëllim furnizimit të konsumatorëve fundor dhe evitimin e reduktimeve. Në këtë drejtim, KEK deri më tani ka depozituar mbi 120.000 MËh, ndërsa gjatë 4 ditëve të fundit nga KESH-i kemi pranuar rreth 3,500 MËh”, thuhet në përgjigjen e Bucollit.

Si ta dini kur ka reduktime?

KEDS;i ka publikuar një hartë, ku tregohet se në çfarë orari janë reduktimet e energjisë elektrike.

Madje, ka dhënë edhe një udhëzim se si mund të informoheni.

“Informimi i konsumatorëve për kohën e kufizimeve të planifikuara është duke u bërë përmes ueb-faqes së KEDS, më saktësisht përmes hartës, ku konsumatorët mund të shohin kufizimet e planifikuara që do të ndodhin në pikën matëse të saj/tij apo të lagjes ku jeton.

Së pari zgjidhni distriktin tuaj, p.sh Mitrovicë (DMI) dhe shënoni shifrën e konsumatorit, të cilën mund ta gjeni në faturën tuaj. Më pas harta do të shfaqë orarin e kufizimeve për atë zonë”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Reduktimet me rrymë i lënë qytetarët pa punë

Reduktimet e rrymës i kanë revoltuar qytetarët. Biznesët private dhe qytetarët po pengohen në kryerjen e punëve të tyre, për shkak të ndaljes së rrymës.

Ka ankesa, sidomos prej atyre që punojnë ‘online’ për dhe me organizata jashtë vendit, se po kanë vështirësi në kryerjen e detyrave të tyre, për shkak të ndërprerjes së rrymës.

Flutura Kusari, juriste e medias, ka shkruar në profilin e saj në Facebook, se ndërprerja e rrymës po i shkakton probleme në baza ditore, në punën që ajo bën.

Të mërkurën ajo ka treguar rryma i ka ndërprerë një prezantim, që e kishte përgatitur prej ditësh.

“Edhe qato mundesi te punes qe i kemi siguru me mundi te madh, Kosova t’i rrezikon. Muj vetem me i paramendu humbjet qe ia shkakton sektorit privat”, ka shkruar Kusari.

Inxhinieri Ermal Sadiku, i cili drejton kompaninë “LinkPlus” ka publikuar një email që e kanë marrë nga një klient. Ai e pyet nëse njoftimi për ndërprerje të rrymës në Kosovë do ta afektonte punën e tyre.

Sadiku ka shkruar se ai u kërkon klientëve në Evropë që t’i besojnë kompanisë e cila vepron në Kosovë, por që dalin pengesa si kjo e rrymës, për të cilin klienti ka shfaqur shqetësim.

Ndërsa, një ditë pasi nisën reduktimet, kompania e mishit “Meka Halal Food”, ka njoftuar konsumatorët e saj se do të rrisë çmimet e produkteve.

“Me keqardhje na duhet të iu njoftojmë që për shkak të ndërprerjeve të shpeshta e të gjata të energjisë elektrike, jemi të detyruar të i ngrisim çmimet e produkteve!”, thuhej në njoftimin e kompanisë, të publikuar më 16 gusht.

Pirro Piraj nga kjo kompani ka shfaqur paknaqësitë dhe vështirësitë që po ua shkaktojnë reduktimet.

KEDS kishte njoftuar se orari i reduktimeve do të ishte 6:2. Ai thotë se gjashtë orë pa rrymë në 24 orë, kompanisë së tij i kushtojnë 600 euro harxhime në derivate.

“Me qindra e mijëra Euro të investuara në gjenerator e detivate për rrymë, para këto që po ti investonim në pajisje e rroga, sot do të kishim qenë shumë më mirë e më lartë!”, ka shkruar ai.

Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi, ka përshkruar nisjen e ditës së sotme pa rrymë dhe nën zhurmën e gjeneratorëve.

“Fillojmë ditën mbarë, me sukseset e rradhës: Reduktime të rrymes dhe zhurmë e gjeneratorëve.  Punën e fillojmë në ora 10:00, deri atëhere kafe, llafe!”, ka shkruar ai në Facebook.

Analisti Imer Mushkolaj ka ironizuar me Qeverinë, dje, derisa po zhvilloheshin bisedimet në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuciq.

“Deshta me e pa Albinin çka po thotë n’Bruksel, po nuk pata rrymë. Bravo Qeveria Kurti”, ka shkruar ai në Facebook.