Kurti: S’kemi qëllime të njëanshme dëmtuese, reciprociteti është për marrëdhënie paqësore

E publikuar: 17/08/2022 21:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sonte është takuar me emisarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti tha se ky ishte një takim përgatitor për çështjet që do të diskutohen nesër.

“Mirë shkoi takimi, ishte takim përgatitor se çka zhvillohet nesër. Janë dy tema elementare, ajo e kornizës së përgjithshme për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe tjetra ka të bëjë me çështjet aktuale, ku pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale”, ka thënë Kurti për Kanal 10, njofton Klankosova.tv

Ai tha se “dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.

“S’kemi qëllime të njëanshme dëmtuese, por mendojmë që reciprociteti është për marrëdhënie paqësore”.

I pari i qeverisë foli edhe për lirinë e lëvizjes, ku tha se për ta pasur atë duhet të ketë vetëm rrugë legale, ato ilegale duhet të mbyllen.

“Për të pasur liri të lëvizjes duhet të ketë vetëm rrugë legale, ato ilegale duhet të mbyllen… Sa i përket vendkalimeve kufitare po e bëjmë atë që Serbia e bën tash e 11 vjet”, ka shtuar ai.

Ai po ashtu tha se askush nuk mund ta kufizojë policinë e Kosovës në luftimin e krimit.