Albin Kurti_
Në prag të takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur optimist për takimin.
Ai ka thënë se është i përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, duke theksuar se marrëveshja “mund të ndodh këtë vit”.
”Nuk mund të them për momentin se kur do të arrihet marrëveshja. Por, unë jam i përkushtuar, konstruktiv, kreativ në arritjen e kësaj marrëveshjeje, sepse koha është thelbësore”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për France24.
Kurti ka theksuar se propozimi i BE-së, i njohur si franko-gjerman, është njohje de-fakto për Kosovën.
”Propozimi i BE-së, jep njohje ‘de-fakto’ dhe përmban shumë paragrafë, nga modeli gjermano-gjerman i vitit 1972, i cili çoi në vende në OKB nga të dy vendet”, ka thënë kryeminsitri.
Ai ka thënë se është shumë optimist për një marrëveshje.
”Mendoj se takimi i ardhshëm do të tregojë se sa shpresëdhënës mund të jemi për këtë vit. Unë jam optimist. Jam shumë optimist se mund të ketë një marrëveshje këtë vit”, ka deklaruar tutje ai.
”Ne kemi nevojë për një përfshirje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë, ne kemi nevojë që Beogradi zyrtar, që të fillojë dhe të distancohet si nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviqi, ashtu edhe nga e tashmja, domethënë nga presidenti despotik Putin”, ka thënë ai.