Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forca të sigurisë nuk është vendim politik por vlerësim i organeve të sigurisë, për të cilin tha se e ka mbështetur atëherë e njëjtë e mbështet edhe sot.
Ai tha se të shumtë janë ata që praninë e policisë e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë, e që sipas tij, s’ka nevojë të quhet ashtu, sepse ajo ndërtesë është e Kosovës.
“Nuk ka pasur asnjë arsye të hyhet me forcë në ndërtesë për ata që e shohin vetëm fotografinë e policisë në sekondin kur hyn kryetari, sikur ndërtesa të mos ishte e rrethuar me njerëz të cilët pasi që e kishin blinduar portën, nuk dëshironin të hynte askush”, tha Kurti.
Tutje, Kurti tha se kur kryetarët e rinj kanë hyrë në ndërtesa, ato ishin të zbrazëta por të blinduara.
“Ata i dinë që ndërtesat janë të Republikës e jo të tyre. Ata s’po i duan ndërtesat, ata po duan që as ne të mos i duam ato. Unë kam pasur hall që kur vije puna të hyjë kryetari i komunës në Leposaviq, Zveçan a Zubin Potok, çka do të bëjnë serbët që janë në administratë, por ata i kishin braktisur ndërtesat dhe natyrisht që aty hyjnë kryetari i komunës, po kush tjetër”m tha Kurti.
Më tej, i pari i qeverisë tha se fakti që ka pasur pengesa në hyrje të komunës, prezenca e policisë ka qenë e justifikuar.
“Dhe nëse e vëreni diskutimin që ka polici i Kosovës me protestuesit e sqaron gjithçka. “Kemi nevojë për korridor për qasje”. E, kur nuk krijohet mundësia për korridor për qasje, natyrisht që na duhet ndërtesa dhe policia këtë e merr nën kontroll këtë aset të Kosovës”, shtoi Kurti.