Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Serbia mund të ketë marrë shumë teknologji, mallra, industri dhe armë, po asnjëherë themelin e qytetërimit perëndimor duke përfshirë “demokracinë dhe liritë njerëzore si themeli i prodhimit, i tregtisë, i politikës dhe mënyrës së jetesës së atij qytetërimi”.
Kurti ka theksuar se gjeopolitika nuk është vetëm materiale.
“Ju po e kuptoni se qeveria e shoqëria, shteti e populli beson dhe pret shumë nga ju nga gjithnjë së bashku. Ju jeni media më speciale e shtetit të Kosovës dhe e elementit të popullit tonë në botë. Ju dispononi shumë të drejta, mbi të gjitha përdorimin e aftësive tuaja. Duke qenë në një vend të huaj, me imunitetin tuaj, ju mund të takoni çdo element përbërës të gjeopolitikës dhe ekopolitikës të vendit pritës”.
Ai deklaroi kështu gjatë fjalimit të tij në Konferencën e gjashtë të Ambasadorëve të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Shefi i Qeverisë shtoi se duhet të bëjmë betejë me detaje që të jemi në të përditshmen e tregut të ligjërimit të tyre. Ne duhet ta fusim lëndën tonë në të vërtetën e tyre.
“Në aspektin gjeopolitik, ky kundërshtar i yni i madh i premton të gjithë perëndimorëve, por qëndron me rusët deri në fatalitet dhe luan me dyfishësinë e Kinës. Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë pa pësuar një transformim rrënjësor. Sepse ajo e sheh veten si projekt të pushtimit sllav në vazhdimësinë e shekujve. Këto dy sende duhet t’ua themi me kujdes dhe me durim perëndimorëve që njohim e që i takojmë. Mjafton t’ua shpiem në mend dhe ata e kontrollojnë vetë vërtetësinë pastaj. Mjafton t’u tregojmë se ekstremet e tyre janë më larg Kosovës, dhe ata do të kuptojnë se qendra e majtë dhe e djathtë ka shumë, shumë arsye ta mbrojë Kosovën dhe kurrsesi të shpreh simpati për Serbinë. Duhet t’ua paraqesim ne argumentet kundër ekstremeve të tyre, ekstremeve në shtetet e tyre. Duhet t’iu themi se Jugosllavia e atëhershme si platformë për Serbi të Madhe, ky ish prijës i vendeve të paangazhuara, ndërtohej i tëri mbi dhunimin e shqiptarëve. Dhe t’iu japim shifra, dhe t’iu japim artikuj, dhe t’iu japim libra. E më pas t’iu themi se kjo ëndërr e tregoi se mbi ç’sakrificë ndërtohej. Andaj edhe tretja e saj prodhoi katër luftëra dhe atë masë të madhe krimi e gjenocidi”, njofton Zyra e Kryeministrit përcjell Klankosova.tv
Albin Kurti theksoi se duhet t’iu themi se “ata që dje ishin kriminel lufte, sot janë anëtarë kartelesh, se ndëshkimi i kriminelëve ishte përgjithësisht një flluskë.
“Nuk janë serbët të dhunuar në Kosovë nga shteti i Kosovës, por vet Oliver Ivanoviçi i vrarë nga strukturat kriminale serbe. Kriminelët e tyre të liruar para kohe po arrestohen së dyti si kriminelë kartelesh droge”.
”Ju sigurisht ndiqni mediet vizive dhe të shkruara në vendet ku shërbeni. Nuk duhet të ngurojmë të dërgojmë nota proteste kur bëhet fjalë për mashtrime në lajmet e tyre. Nëse ata shohin se ne i kundërshtojmë kur fabrikojnë lajme të rreme, ata do të na respektojnë dhe do të kërkojnë lidhje të rregullta me institucionet tona, më së pari me ju”.
Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti:
E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
E nderuar Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla Schwarz,
I nderuar zëvendëskryeministër Besnik Bislimi,
E nderuar nënkryetare e Kuvendit, Saranda Bogujvci,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të kabinetit qeveritar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të Republikës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Si për çdo shtet tjetër, edhe për vendin tonë instrumentet kryesorë të politikës së jashtme janë diplomacia, ekonomia dhe mbrojtja. I takon diplomacisë t’i integrojë në punën e vet gjithë instrumentet dhe fushat e mundshme. Përmes integrimit të këtyre fushave mund të krijohen kanalet në të cilët mund të komunikojmë të vërtetën dhe të drejtën.
Ju takon juve të thoni se si e dimë ne të vërtetën tonë. Ju jeni të pranishëm në përditshmërinë e vendeve ku veproni. Përditshmëria atje ku jeni duhet analizuar sipas individëve, profesioneve dhe institucioneve të tyre. Duhet t’iua përçojmë pa droje “dijen tonë për historinë” dhe “informacionin tonë për aktualitetin”. Ata njohin Ballkanin e tyre, ne duhet t’iu shpjegojmë tonin. Atë Ballkan ku fqinji ynë verior po sulmon me të gjitha mënyrat tri vende fqinje të saj duke i dhënë një ndihmë shumë të madhe Rusisë e duke u ndihmuar prej saj. Qarqet akademike, intelektuale, universitare e mediatike, për kureshtje, kërkim dhe zgjerim karriere janë të gatshëm të dëgjojnë. Propaganda pseudoshkencore dhe diplomatike të fqinjit tonë verior kanë imponuar një datë të “fillimit të historisë”, qoftë shekulli XVIII ose shekulli XIV, gjithnjë të historisë sipas tyre, a thua se para tyre s’ka pasur as histori, as kohë, as popuj, sepse ka përfituar nga numri shumë i vogël i njerëzve tanë në universitete në perëndimin demokratik. Aq të qetë kanë qenë nga mungesa jonë, sa në shumë vende ku jeni ka zënë vend iluzioni primitiv siç e dini edhe ju vet, se me flijimet e nevojshëm të popujve të tjerë, përfshirë shqiptarët, mund të zbutet perëndia serbe, “perëndia” në thonjëza, mëkëmbëse e perëndisë, gjithnjë në thonjëza ruse në Ballkan. As mos të na shkojë mendja se mendësia e vitit 1913 ,e thënë me fjalët e sir Edward Gray: u bë një padrejtësi, por u shmang një luftë, ka shkuar. Vendet me të cilët kemi të bëjmë kanë gjithnjë politika ekstreme, pikërisht kur jemi në horizontin e luftës, e cila edhe u rishfaq në Evropë. Pikërisht në këtë vit të cilën po e përmbyllim ngadalë. Le ta mbajmë mend pra 1913-n. Edhe pse Gray mendoi se e largoi luftën duke sakrifikuar territore të shqiptarëve, pak muaj më vonë nacionalistët serbë vranë në Sarajevë arqidukën e Austro-Hungarisë dhe Lufta e Madhe e përfshiu botën. Sakrifica nuk ishte pranuar, kundërshtarët e saj ishin vrarë.
Sot kemi një masë shtetërore shumë më të lartë në shtetin dhe shoqërinë tonë, popullin e kombin tonë, andaj dhe nëse tregohemi të gjithë të vendosur në punën tonë të përditshme, jemi pakrahasimisht më të fortë.
“Perëndia” serbe (gjithnjë në thonjëza kjo perëndia) nuk është mjaftuar me sakrificën e pjesshme që i ofroi Perëndimi demokratik sepse e mendon veten bir të “perëndisë” ruse. Dhe ashtu si Pjetri i Madh që mori nga Perëndimi gjithë çka i nevojitej ta përdorte më vonë për nënshtrimin e gjithë Europës ndaj Rusisë, ashtu Serbia merr nga Perëndimi sakrificat e pjesshme dhe gjithë çka i nevojitet për nënshtrimin e gjithë Ballkanit ndaj Serbisë. Vetëm me këtë flijim të plotë “Perëndia” serbe mund të ndjehet në paqe me veten. Sigurisht, gjatë shekullit XX, Serbia është ndodhur dy herë në krah të qytetërimit perëndimor, por a e dini pse? Vetëm dhe vetëm sepse ka qenë e rreshtuar edhe vetë Rusia aty. Për rreshtimin e vërtetë në qytetërimin demokratik perëndimor, Serbia nuk ka nevojë për flijimin e popujve të Ballkanit, por për demokratizimin e saj të brendshëm.
Gjatë shekujve, Serbia mund të ketë marrë shumë teknologji, mallra, industri dhe armë, po asnjëherë themelin e qytetërimit perëndimor: demokracinë dhe liritë njerëzore si themeli i prodhimit, i tregtisë, i politikës dhe mënyrës së jetesës së atij qytetërimi. Dhe ashtu si përgjatë shekullit të XX-të, as sakrifikimi i shtetimit të plotë të Republikës së Kosovës në fillimin e këtij shekulli nuk e kënaq “perëndinë” serbe, as nuk e renditë Serbinë mirëfilli krah qytetërimit perëndimor. Për të fshehur pamundësinë e vet për civilizim, ajo akuzon shqiptarët për muslimanë.
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të Republikës së Kosovës,
Me sa thash më sipër, vetëm dua të tërheqë vëmendjen se gjeopolitika nuk është vetëm materiale, por po aq edhe produkt i asaj që quhet “mental map” ose “cognitive map” e Evropës.
Ju po e kuptoni se qeveria e shoqëria, shteti e populli beson dhe pret shumë nga ju nga gjithnjë së bashku. Ju jeni media më speciale e shtetit të Kosovës dhe e elementit të popullit tonë në botë. Ju dispononi shumë të drejta, mbi të gjitha përdorimin e aftësive tuaja. Duke qenë në një vend të huaj, me imunitetin tuaj, ju mund të takoni çdo element përbërës të gjeopolitikës dhe ekopolitikës stë vendit pritës.
Duhet të bëjmë betejë me detaje që të jemi në të përditshmen e tregut të ligjërimit të tyre. Ne duhet ta fusim lëndën tonë në të vërtetën e tyre. Prandaj na duhen punonjësit e kancelarive dhe instituteve të tyre, biznesmenët, anëtarë të shoqërisë civile dhe profesorë universitetesh. Një pjesë e madhe e shoqërisë së tyre civile kanë për fushë temat qendrore të historisë politike dhe të drejtësisë ndërkombëtare të Kosovës. Duhet të listojmë këta njerëz, t’i gjejmë e t’i takojmë. Ju jeni mediet tona, sepse përmes jush ne rrisim numrin e njerëzve që flasin për shtetin e Kosovës dhe të drejtën e tij.
Ne kemi një armik ekzistencial që bën shumë zhurmë, që përdor gjithnjë një pozicion hibrid në rendin historik dhe atë gjeopolitik. Beogradi luan me spektrin politik proserb dhe projugosllav për të fituar nga ekstremet e vendeve perëndimorë. Me të majtët ekstremë Beogradi fiton me idenë e Jugosllavisë, me të djathtët ekstremë fiton me idenë e Serbisë mbrojtëse të krishterimit.
Në aspektin gjeopolitik, ky kundërshtar i yni i madh i premton të gjithë perëndimorëve, por qëndron me rusët deri në fatalitet dhe luan me dyfishësinë e Kinës. Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë pa pësuar një transformim rrënjësor. Sepse ajo e sheh veten si projekt të pushtimit sllav në vazhdimësinë e shekujve. Këto dy sende duhet t’ua themi me kujdes dhe me durim perëndimorëve që njohim e që i takojmë. Mjafton t’ua shpiem në mend dhe ata e kontrollojnë vetë vërtetësinë pastaj. Mjafton t’u tregojmë se ekstremet e tyre janë më larg Kosovës, dhe ata do të kuptojnë se qendra e majtë dhe e djathtë ka shumë, shumë arsye ta mbrojë Kosovën dhe kurrsesi të shpreh simpati për Serbinë. Duhet t’ua paraqesim ne argumentet kundër ekstremeve të tyre, ekstremeve në shtetet e tyre. Duhet t’iu themi se Jugosllavia e atëhershme si platformë për Serbi të Madhe, ky ish prijës i vendeve të paangazhuara, ndërtohej i tëri mbi dhunimin e shqiptarëve. Dhe t’iu japim shifra, dhe t’iu japim artikuj, dhe t’iu japim libra. E më pas t’iu themi se kjo ëndërr e tregoi se mbi ç’sakrificë ndërtohej. Andaj edhe tretja e saj prodhoi katër luftëra dhe atë masë të madhe krimi e gjenocidi.
Duhet t’iu themi se në krye të Serbisë sot janë në postet më të lartë të njëjtët njerëz, duhet t’iu themi se ata që dje ishin kriminel lufte, sot janë anëtarë kartelesh, se ndëshkimi i kriminelëve ishte përgjithësisht një flluskë, e cila ka shpërthyer tashmë pa u vënë re me vrasjen e njeriut, i cili në një masë donte ta ndryshonte Serbinë: Gjingjiqin. Realiteti nuk është shtëpia e verdhë, por Gjingjiçi i vrarë. Nuk janë serbët të dhunuar në Kosovë nga shteti i Kosovës, por vet Oliver Ivanoviçi i vrarë nga strukturat kriminale serbe. Kriminelët e tyre të liruar para kohe po arrestohen së dyti si kriminelë kartelesh droge.
Janë shumë të rëndësishme statistikat. Mund të prodhohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës një dokument të cilin ne bashkë ua shpërndajmë medieve, shoqërisë civile, dhe njerëzve me ndikim, sidomos në rrethet universitare. Në ato statistika duhet të tregohet sidomos numri i serbëve që janë ndëshkuar për krimet që kanë kryer, numri edhe më pak se modest. Duhet t’iu flasim atyre për shtetin e Kosovës, si shteti më demokratik në Ballkanin perëndimor. Arritjet tona në luftën ndaj korrupsionit dhe në lirinë e medieve duhet t’iu thuhen qartë, e po ashtu këto bashkë me rritjen tonë mbresëlënëse ekonomike.
Perëndimorët që janë aleatë, partnerë e miq tanë jo doemos e dinë për shembull vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë për pavarësinë e shtetit të Kosovës. Pjesa më e madhe e njerëzve që punojnë në medie dhe në kancelaritë evropiane janë brez tjetër tashmë. Ata do të dëgjojnë një gjë më të vjetër se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në vend të tri shkronjave GJND, më shumë gjasë e gjejnë më shpesh katër numra, 1244, sepse zyrtarët serbë do ta thonë ngado.
Ju sigurisht ndiqni mediet vizive dhe të shkruara në vendet ku shërbeni. Nuk duhet të ngurojmë të dërgojmë nota proteste kur bëhet fjalë për mashtrime në lajmet e tyre. Nëse ata shohin se ne i kundërshtojmë kur fabrikojnë lajme të rreme, ata do të na respektojnë dhe do të kërkojnë lidhje të rregullta me institucionet tona, më së pari me ju.
Duhet t’ju flasim edhe për Luginën e për Sanxhakun e t’ju tregojmë se nuk jemi ne që bëjmë dhunë mbi serbët, por Beogradi, e aq më tepër t’ju dërgojmë informacion mbi spastrimin etnik burokratik që po ndodh në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me zhdukjen e adresave. Ndoshta do të gjenit gazetarë të tyre që do ta ndezin këtë çështje në opinionet e tyre. Tregoni për frikën e shantazhin nën të cilën ndodhen edhe bashkëqytetarët tonë, serbët në Kosovë, pikërisht nga strukturat ilegale të Beogradit të shndërruara së fundmi në banda kriminale pa përjashtim.
Ndihmoni njëri-tjetrin me lidhje dhe me informacion. Komunikoni dhe bashkërendohuni me njëri-tjetrin. Nuk është hera e parë që ne e bëjmë një gjë të tillë. E tërë dekada e viteve të 90-ta, ku jemi formësuar shumica, për të mos thënë të gjithë ne politikisht, ka qenë një luftë e tillë. Kërkoni ndihmë edhe nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë për të gjithë problemet e vështirësitë që i hasni.
Ne kemi kemi ardhur në qeverisje me dy zotime kryesore, me një ndryshim të madh demokratik, me zotimet para qytetarëve tanë për drejtësi dhe punësim. Në të parën po punohet për së brendshmi, e në të dytën duhet punuar edhe për së jashtmi nga ju. Pra, një diplomaci që është edhe diplomaci ekonomike. Pra, sjellje të investimeve të reja, pra punësim. Faktori numër një që pengon qytetarët të gëzojnë një ndjenjë më të lartë mirëqenie në vendin tonë është performanca ende jo mjaftueshëm të sektorit privat, që do të thotë ekonomia reale, jo ekonomi që varet nga prokurimi publik ose shitja me pakicë e mallrave të importuara.
Gjithçka fillon me rritjen e ekonomisë reale. Kur të ketë rritje në një numër më të madh të kompanive private, dhe jo vetëm të atyre me tendenca monopolistike, do të ketë rritje të investimeve dhe punësimit me vlerë. Gjithashtu, me një qarkullim më të shpejtë dhe më të madh të parasë në ekonominë tonë, njerëzit do të ndihen më të sigurtë dhe më shpresëdhënës për gjendjen e tyre financiare tash dhe në të ardhmen. Paralelisht, një ekonomi reale në rritje do të thotë më shumë të ardhura tatimore për shtetin, të cilat shteti pastaj mund t’i shpërndaj me mençuri për të arritur qëllimin përfundimtar që e kemi të gjithë këtu – të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë, të zyrtarëve tanë, për shërbimin tonë të jashtëm. Pa rritje të sektorit privat asnjë nga këto që i thashë nuk do të jenë të mundura.
Ideja është që të lëvizim drejt organizimeve e vizitave jashtë dhe misioneve nga jashtë në Kosovë – përreth industrive dhe sektorëve, psh. eventualisht të lëvizim nga misionet investuese e tregtare të një shteti të huaj me një numër kompanisë që përfaqësojnë një numër sektorësh Në vizita të kompanive të disa shteteve, por nga një industri apo sektor i vetëm. Psh., në javën e 4-të të shtatorit mund ta organizojmë Konferencën Vjetore Tradicionale të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit, meqë edhe ashtu tradicionalisht atë javë organizohet java e TIK-ut në Kosovë.
Shefi i Stafit në kryeministri është duke u koordinuar me ministritë, asociacionet e biznesit dhe organizatat ndërkombëtare relevante në vend për ta zhvilluar një plan të përbashkët për promovim të investimeve të huaja dhe të eksportit tonë për vitin 2023, dhe këto mund t’ua shpalosë vet ai personalisht gjatë këtyre tri ditëve për çka edhe ju inkurajoj që të konsultoheni. Prapë, qëllimi është që t’i integrojmë, konsolidojmë dhe bashkërendisim përpjekjet tona, dhe që unë si Kryeministër ta shfrytëzoj sa më shumë kohën time për t’u takuar me investitorë potencialë e eksportues me perspektivë, në mënyrë që mjedisi i të bërit biznes në Kosovë të bëhet sa më shpejtë ndër më konkurruesit në rajon dhe jo vetëm, për kokë banori.
Unë besoj që krahas punës suaj për promovimin e qëndrimeve tona politike, gjysmën e kohës tuaj duhet ta shfrytëzoni për promovimin e investimeve nga vendet ku shërbeni për në Kosovë, si dhe në promovimin dhe rritjen e eksportit kosovar në ato vende ku shërbeni. Ndërkohë, duhet të bashkëpunojmë ngushtë në përcaktimin e faktorëve që pastaj na mundësojnë përcaktimin e Indikatorë Kyç të Përformancës në lidhje me këtë aspekt të angazhimit tuaj si diplomatë.
Unë jam përzemërsisht e përjetësisht mirënjohës për punën e jashtëzakonshme, për angazhimin e pakursyer, për rolin e padiskutueshëm dhe për kontributin e pamatshëm që e keni bërë, po e bëni, e do ta bëni.