Dje i radhiti mediet e Kosovës përkrah Serbisë, Kurti refuzon ta shpjegojë deklaratën e tij para gazetarëve

E publikuar: 09/12/2024 12:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti_

Albin Kurti_

Kryeministri dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë deklaratat e bëra dje në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së ndaj mediave se “kurrë nuk ka pasur më shumë media kundër Qeverisë”. Sipas tij, kjo ndodh për shkak se “ne nuk i paguajmë”.

“Këtu jemi në Klinikën e Radiologjisë. Për çështje të tjera flasim në vende të tjera, herë të tjera”, i është përgjigjur ai, pyetjes së një gazetareje, gjatë një ngjarjeje në QKUK.

Në fjalimin e tij në mbledhjen e partisë, mes tjerash, Kurti ka thënë se “mediat për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën tek qeveria jonë, por asnjëherë tek Serbia, nuk meritojnë vëmendjen tuaj”.

Deklarata ka nxitur reagimin e AGK-së dhe të komunitetit të gazetarëve, të cilët kanë dënuar këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë.