Kurti: Procesi për nënshkrimin e marrëveshjes nuk ka qenë i lehtë

E publikuar: 02/02/2020 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në konferencën për media pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se janë dakorduar që në qeverinë e ardhshme t’i kenë 15 ministri, 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Ai tha se janë marrë vesh për të gjitha çështjet.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha, edhe për ndarjen e përgjegjësive në qeverinë e re ku do të bashkëqeverisim. Jemi dakorduar që t’i kemi 15 ministri dhe 33 zëvendësministra kjo tregon se qeveria jonë ende pa ia nisur punës ka bërë një ndryshim të madh pasi është qeveria më e vogël. Ne kemi vlerësuar që synimi ynë që t’i kemi 12 ministri ka qenë i drejt, por kemi thënë se është një tendencë për të kursyer sa më shumë, por në anën tjetër është dëshmuar se krijimi i disa superministrive është kosto më e madhe se sa t’i kemi 12 ministri. Më mirë të bëjmë reduktimin më të shpejtë në 15 ministri se sa të presim më gjatë për 12 ministri”, tha Kurti.

Lideri i LVV-së tha se për nënshkrimin e marrëveshjes për koalicion LDK do të mbajë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, ndërsa LVV referendum partiak, ashtu qysh e kërkojnë statutet e dy subjekteve.

“Procesi nuk ka qenë i lehtë, por shumë më i sigurt sesa që është menduar ose transmetuar”, tha Kurti.  /Telegrafi/