Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot gjatë ditës ka mbajtur tri takime të ndara me ambasadorë të korit diplomatik në Republikën e Kosovës.
Fillimisht ai u takua me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, z. Christian Heldt, ambasadoren e Francës, znj. Marie-Chrisitine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, z. Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe Përfaqësuesen e Posaçme të Bashkimit Evropian në Kosovë, znj Nataliya Apostolova.
Më pas, në një takim të përbashkët pritën ambasadorin e Austrisë, z. Christoph Weidinger, shefin e zyrës diplomatike të Belgjikës, z. Jean-Louis Servais, ambasadoren e Finlandës, znj. Pia Stjernvall, ambasadoren e Holandës, znj. Garrie Willems, ambasadorin e Norvegjisë, z. Jens Erik Grøndah dhe ambasadorin e Zvicrës, z. Jean-Hubert Lebet.
Në fund, Kryeministri në detyrë, z. Kurti dhe ministri në detyrë i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, z. Bislimi pritën edhe ambasadorin e Bullgarisë, z. Hristo Gudjev, ambasadoren e Kroacisë, znj. Danijela Barišić, ambasadorin e Republikës Çeke, z. Pavel Bílek dhe ambasadorin e Turqisë, z. Çağrı Şakar.
Në këto tre takime, Kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi situatën në vend pas përhapjes së virusit COVID-19 dhe masat e ndërmarra deri më tani nga Qeveria. Theks i veçantë u vë mbi pakon fiskale emergjente të hartuar nga Qeveria në detyrë.
Ambasadorët dhanë vlerësimet e tyre pozitive për punën e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në ballafaqimin me pandeminë COVID 19, dhe në të njëjtën kohë shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në çfarëdo forme.
Kryeministri në detyrë, Kurti shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që komuniteti ndërkombëtarë po i jep Kosovës për menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj sfide të përbashkët.