Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky.
Në komunikatën për media thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Çekisë dhënë për shtetin dhe popullin e Kosovës, para dhe pas luftës, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë, në arenën ndërkombëtare, në siguri dhe projekte zhvillimore.
“Ministri Lipavsky theksoi mbështetjen dhe solidaritetin e plotë për aspiratat e Republikës së Kosovës për integrime evropiane dhe euro-atlantike, ndërsa tha se e përkrah angazhimin e përbashkët drejt liberalizimit të vizave. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ai e falënderoi ministrin Lipavsky për mbështetjen e Republikës Çeke për Kosovën dhe trajtimin e kësaj çështjeje si prioritet gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se ata diskutuan për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në nëntor.
“U bisedua për rëndësinë e integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe për samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në nëntor. Lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, ministri Lipavsky u shpreh mirënjohës për bashkërendimin e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe pozicionimin e qartë të vendit tonë. Ai e falënderoi kryeministrin Kurti për qëndrimin e vendosur në përputhje me qëndrimet e BE-së. Po ashtu ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian kundër luftës hibride”.
“Kryeministri Kurti dhe ministri Lipavsky u pajtuan për rritje të bashkëpunimit në ekonomi, shkëmbime tregtare, kulturë, siguri si dhe teknologji të informacionit dhe komunikimit. U theksua potenciali i madh për thellim të marrëdhënieve bilaterale si mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, po ashtu edhe ndërmjet Kosovës dhe Çekisë”, thuhet tutje në komunikatë.