Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
Në këtë takim të fundit gjatë mandatit të tij, Kryeministri Kurti e ka falënderuar ambasadorin Sakar për bashkëpunimin në Kosovë. Ai vlerësoi angazhimin e tij për thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe për projektet e përbashkëta në fusha të ndryshme.
Gjithashtu u theksua se lidhjet ndërmjet dy vendeve janë të thella, prandaj mbi këtë bazë ka angazhim për avancim të mëtejmë të bashkëpunimit të ngushtë.
Duke shprehur mirënjohje për kontributin e tij për Republikën e Kosovës, Kryeministri Kurti i uroi ambasadorit Sakar suksese në angazhimet e tij të radhës.