Kurti prezantoi cilësitë e armëve serbe: Pati eksploziv, tritol dhe dinamit për shkatërrimin e urave dhe infrastrukturës

E publikuar: 28/09/2023 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka prezantuar sot publikisht, cilësitë e armëve të cilat u gjetën dhe konfiskuan në Banjskë, gjatë aksionit antiterrorizëm të dielën.

Ai tha se i gjithë ky arsenal armësh ishte i prodhuar në Serbi, e madje në mesin e tyre përmendi që pati edhe eksploziv plastik, tritol dhe dinamit.

Kurti u shpreh se të tillat përdoren për shkatërrimin e urave dhe infrastrukturës.

“Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që kishin profesionistët serbë të cilët sulmuan në Banjskë të Zveçanit të dielën, janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë.

Më lejoni të tregoj për përshkrimin cilësor të armatimit të konfiskuar në Banjskë:

M80 Zolla = një sistem njëpërdorimësh antitank i padirixhuar, prodhim i Serbisë. Prodhohet në fabrikën shtetërore ‘’Slloboda’’ në Serbi. Kjo armë përdoret kundër automjeteve të blinduara dhe fortifikimeve. Kjo predhë mund të penetrojë çelikun deri në 30 centimetra e distanca efektive është deri në 250 metra.

Zastava M93 BGA, Mitraloz 30 mm = armë automatike lansuese e granatave 30 mm, prodhim i Serbisë. Prodhohet në fabrikën shtetërore ‘’Zastava Arms’’, Kragujevs. Kjo armë përdoret kundër mjeteve të lehta të blinduara dhe ka distancë efektive deri në 1700 metra.

Mina kundërpersonale = kundër personave, përdoren kundër këmbësorsë dhe janë të dizajnuara të vrasin dhe dëmtojnë personelin gjatë lëvizjes në terren të caktuar.

Predhat e mortajave, minahedhësve 82 mm dhe 62 mm = predha të standardit të vendeve të lindjes, ish-vendeve socialiste. Nuk përdoren nga vendet e NATO-s. Mortaja si armë, konsiderohet armë artilerie, dhe përdoret për goditje në distanca të largëta, 5 deri në 8 kilometra.

Eksploziv plastik, tritol dhe dinamit = përdoret për shkatërrimin e urave dhe infrastrukturës, gjithashtu përdoret edhe për punimin e mjeteve të ndryshme shpërthyese për shkatërrimin e personelit dhe mjeteve të blinduara.

Tromblon për pushkë M70 = tromblonët janë granatë shpërthyese që vendoset në armën automatike serbe M70 që ka synim goditjen e trupave të këmbësorisë së personelit.

Zastava M84 Mitraloz = armë e këmbësorisë për eliminimin e personelit në distancë dhe mbulimin e trupave me armë të lehta. Kjo armë është prodhim i Serbisë, prodhohet në fabrikën shtetërore ‘’Zastava Arms’’ në Kragujevc. Ka qitje efektive deri në 1000 metra.

Zastava M70 = varianti serb i kallashnikovit AK47, është armë automatike individuale, prodhim i Serbisë, nga fabrika shtetërore ‘’Zastava Arms’’ në Kragujevc, Ky M70 përdoret për asgjësimin e personelit, dhe ka distancë efektive të qitjes deri në 410 metra.

Zastava M76 Snajper = po ashtu i konfiskuar, armë gjysmëautomatike për qitje në distancë të largëta. Sërish prodhim i Serbisë, sërish nga fabrika shtetërore e tyre ‘’Zastava Arms’’ në Kragujevc. Ka efekt qitje deri në distancë 800 metra. Dhe përdoret për eliminimin e caqeve në distanca të largëta.

Granata të dorës M75 = armë individuale që përdoren kundër personelit brenda dhe jashtë objekteve.

Dronë = fluturake pa pilot, përdoren për vëzhgim dhe sulme luftarake.

Shumë revole Zastava M70 = armë individuale me shurdhues përdoret për atentate.

Pajisje të tjera: Dylbi, uniforma, çanta ushtarake, harta, telefonë, municione të ndryshme, kamera, antiplumb, mjete të punës si detonatorë, shurdhues, që gjithmonë kanë të bëjnë për eksplozivet që shpërthejnë, <<>> të cilat paraqesin pajisje individuale dhe ekipore të grupit terrorist e kriminal që shërbejnë zakonisht për aktivitete ushtarake”.