Kurti pret ushtarakun e lartë amerikan të NATO-s, ZKM jep detaje për takimin

E publikuar: 12/01/2026 21:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin amerikan George M. Wikoff.

Në takimin e parë mes tyre, Kryeministri Kurti “e uroi për marrjen e detyrës së re, duke i ofruar bashkëpunim të plotë. Ai theksoi komunikimin dhe ndërveprimin e mirë të qeverisë me misionin e NATO-s në Kosovë në garantimin e sigurisë dhe paqes për të gjithë qytetarët”, thekson ZKM.

“Kosova është rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, çlirimit dhe pavarësisë, që është kthyer në motor të zhvillimit ekonomik, themel të shtetndërtimit demokratik dhe mundësi për mirëqenie sociale. Për këtë, kryeministri shprehu falënderimin e popullit të Kosovës për aleancën veri-atlantike”, theksohet në komunikatën e lëshuar për media.

Duke folur për situatën e sigurisë, “kryeministri nënvizoi synimin dhe angazhimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, si përgjigjja më e mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon. Kryeministri shtoi se siguria e Kosovës në radhë të parë është siguri e kufijve të saj”, vijon komunikata.

“Kryeministri gjithashtu e njoftoi admiralin Wikoff me veprimet dhe rezultatet e institucioneve në luftimin e krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit, si dhe me investimet në mbrojtje. Ai e falënderoi admiralin Wikoff për takimin dhe bisedën dhe për kontributin e KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë”, përfundon njoftimi.