Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot ka pritur në zyrën e tij gratë nga Krusha e Vogël.
Në takimin e përbashkët me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ai ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Po ashtu, gratë nga Krusha e Vogël morën zotim nga kryeministri Kurti edhe për angazhimin e tij për rritjen e mirëqenies së familjarëve të tyre.
Në takim u bisedua për angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në hartimin e politikave për drejtësi tranzicionale, nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse, që adresojnë nevojat dhe kërkesat e kategorive të dala nga lufta.