Pasditen e së premtes, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti përfaqësuesit dhe lojtaret e klubit të shpallur kampion të Kosovës të hendbollit të femrave “KHF Istogu”.
Kryeministri i uroi ato për suksesin e arritur dhe rezultatet mbresëlënëse në fitoren e titullit të tretë radhazi si kampion të Kosovës, dhe të katërtit në total. Këtë sezon, ekipi nga Istogu e fitoi edhe Superkupën e Kosovës dhe luajti në finale të Kupës së Kosovës.
“Keni korrur sukses ndaj ekipeve shumë të fuqishme. E dimë që sukseset e juaja nuk janë vetëm brenda Kosovës por edhe në arenën ndërkombëtare dhe keni tituj të shumëfishtë e kupa të shumta, për çfarë ju përgëzoj e ju uroj”, u shpreh kryeministri përgjatë takimit.
KHF Istogu si kampione e Kosovës do të garojë në gara ndërkombëtare, konkretisht në EHF European Cup, ku do të marrin pjesë gjithsej 64 skuadra nga vende të ndryshme të Evropës. Kjo do të jetë pjesëmarrja e tetë radhazi për ta në garat evropiane. Bashkë me Istogun në këtë garë do të marrin pjesë edhe KHF Ferizaj dhe KHF Samadrexha, ndërsa ekipet kundërshtare të tyre do t’i mësojnë më 16 korrik, pasi të hidhet shorti në Vjenë.
Në përfundim, kryeministri Kurti i dëshiroi klubit, lojtareve, stafit drejtues dhe menaxhues suksese, rezultate më të larta e përfaqësim sa më të mirë të shtetit tonë në këtë sport në garat e ardhshme evropiane, duke theksuar dhe mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë për sportin sikur edhe hendbollin.