Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e quajti “hajn”, presidentin e vendit, Hashim Thaçi gjatë fjalimit të tij në tubimin për 15-vjetorin e formimit të partisë së tij. Kurse, duke përmendur sukseset e 100-ditëshit të qeverisjes së tij, u shpreh se janë të gjithë bashkë për të zgjedhur një president që i përfaqëson të gjithë barabartë.
“Sot jemi shumë, jemi shumë më shumë sepse sot jemi të gjithë bashkë si kurrë më parë. Jemi bashkë për të zgjedhur një president që na përfaqëson të gjithëve, që na nderon të gjithëve e na lartëson pa dallim”, tha Kurti.
Kurti u shpreh se presidenti e ka ngritur dilemën nëse është hajn apo nuk është hajn.
‘Një qytetar e quajti presidentin hajn, pa ja përmendur emrin, mirëpo truprojat e presidentit e dini se ky qytetar e ka fjalën për presidentin, prandaj edhe ju vërsulën qytetarit student. Ne nuk kemi prokurori e gjyqësi të guximshme për të vërtetuar hajninë e presidentit, prandaj ai u frikësua që gjyqi do tu bëhej”, tha Kurti.
Pastaj, ai e quajti “hajn”, presidentin Thaçi, duke shtuar se kjo nuk do të vazhdonte edhe për shumë kohë.
“Që të mos e lëmë pa e zgjidhur atë dilemë, presidenti është hajn. Por jo është për shumë gjatë, por edhe për disa muaj, ai do të shkoj dhe nuk do të vjedh më. Ashtu si sot, nuk mund të vjet Njazi Thaçi në KEK e as Bedri Istrefi në Telekom”, tha Kurti.
Kurti tha se shteti duhet të punojë për të gjithë barabartë, kurse siç tha ai, qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se Qeverisja e mirë është e mundur.
“Shteti duhet të punoj për secilin dhe për të gjithë njësoj, duhet të krijoj mundësi të barabarta për tu punësuar e shkolluar. Shteti nuk mund të zaptohet e privatizohet sikur ka ndodhur në Kosovë, ku disa familje kanë kapur disa ndërmarrje e i kanë zaptuar përgjithmonë. Entuziazmin e 6 tetorit për ndryshim, e kthyem në program. Ne kurrë nuk do të kthehemi para 6 tetorit, sepse për vetëm 100 ditë kemi parë se qeverisja e mirë është e mundur. Kemi parë se ndryshimi është i mundur dhe më nuk kthehemi prapa por do të ecim përpara, shumë si shumica dhe shpejt si Lëvizja”, tha Kurti gjatë manifestimit.
Ai tha se populli e pa si reaguan regjimi i vjetër dhe kapësit e shtetit.
“Ata që e kanë kapur shtetin në të gjitha anët u kapën bashkë për të rrëzuar Qeverinë e mirë. Ju ishin dëshmitarë, sesi presidenti i zgjedhur me vota të kontrabanduara në Kuvend, u vërsul me gjykata e të gjitha institucione në Qeverisjen e mirë. Ai nuk i gjeti askund, por i gjeti të Lidhja Demokratike, e cila e braktisi qeverisjen e mirë. Tani janë të gjithë së bashkë në një Qeveri Koti që për kumbarë e kanë presidentin e PDK-së. Mirë që janë bashkë se ata janë kanë bashkë qe 20 vjet, në vjedhje korrupsion. Tash kurrë nuk ka qenë më lehtë me e nda të mirën nga e keqja. Ne jemi popull i lashtë dhe i drejtë, kurrë nuk kemi pushtuar të tjerët, por as nuk kemi pranuar nënshtrimin nga të tjetër. Jemi popull ilir dhe kemi luftuar për liri”, tha Kurti. /Telegrafi/