Kurti përqeshë premimet e Hamzës e Abdixhikut: Kush u ka dhënë ekonomi? Ose, ndoshta kanë ik prej orës

E publikuar: 18/12/2025 20:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar fushatë zgjedhore në Therandë, për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Gjatë tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Therandë, Kurti duket se i është kthyer gjuhës së vjetër.

Me ‘kunja’ drejtuar kreut të PDK-së, Bedri Hamzës dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti ngriti dyshime për profesionalizimin e tyre në fushën e ekonomisë.

Duke i përqeshur premimet e Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pyeti “kush u ka dhënë ekonomi” dhe se “kanë ikur prej ore”. Kjo referuar premtimeve për rritje 50% të pagave dhe ulje të tatimeve.

Kjo, tha ai, ka ndodhur në qeverinë e tij, “që e kam rritur buxhetin për pagat në sektorin publik për 40%”.

“Të dashur qytetarë, kur dëgjoni dikë duke thënë se do t’i zvogëlojmë tatimet e do t’i rrisim shpenzimet, vetëm mendoni a thua kush i ka dhënë mësim këtij personi. Ose, ndoshta ka ik prej orës, nuk bënë me përjashtu këtë mundësi. Pra, zvogëlojmë tatimet e rrisim shpenzimet. Papërgjegjësia e tillë është e mundshme pikërisht për shkak se e dijn se nuk do të testohen, por shikoni punën tonë e cila flet e jo fjalët e tyre për punën që nuk do të ndodhë”, ka thënë mes të tjerash Kurti.

Ai kritikoi edhe planin e Bedri Hamzës për rritjen prej 50 për qind të pagës si dhe pensioneve, duke thënë se një premtim i tillë nuk është i mundur.

Përkundër se Hamza në të kaluarën kishte marrë vendime për rritje të pagave, Kurti tha se ata nuk kishin marrë kësi vendime derisa ishin në qeverisje.