
Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar betejën e Çabratit të Gjakovës në 23-vjetorin e saj, e zhvilluar më 7, 8 dhe 9 maj, e cila njihet si një nga betejat e vetme të zhvilluara në mjedise urbane.
Kurti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka përmendur emrat e dëshmorëve të rënë në betejë, teksa ka rikujtuar suksesin e flijimin e UÇK-së.
“Ajo konsiderohet të jetë e vetmja betejë e UÇK-së e ngjarë në mjedise urbane. E zhvilluar më 7 maj 1999, beteja e Çabratit të Gjakovës, ishte një përballje luftarake mes ushtarëve të Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të shumta serbe që kishin zbritur nga malet përreth. Ndonëse të pabarabartë në armatime dhe pajisje, UÇK-ja u shkaktoi humbje të konsiderueshme okupatorëve serbë, të cilët u hakmorrën mbi popullsinë civile duke vrarë e kidnapuar dhe zhdukur dhjetëra persona”, shkruan Kurti.
“Në historinë e Gjakovës dhe të Kosovës, përveç këtyre martirëve, duke i mbrojtur ata dhe vendin e tyre, në betejën e Çabratit ranë dëshmorë: Ahmet Gjikolli, Bujar Roka, Tom Gjoka, Kushtrim Hoxha, Dashmir Krasniqi, Visar Juniku, Sefedin Xërxa, Hamëz Zymberi, Agim Haxhiavdyli, Yllka Domi, Ilir Berisha, Taulant Nura, Ali Hoxha dhe Hazir Këpuska”, thuhet më tej në postimin e tj.

















