Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ambasadorin Michael Carpenter.
Siç njoftohet nga zyra e Kyreministrisë, gjatë takimit u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe OSBE-së.
“Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, u diskutua edhe për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon”, thuhet në njoftim.
Duke folur për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat e tjera të ndërlidhura, Kurti ritheksoi se Qeveria është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
Kurti tha se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.