Kryeministri Albin Kurti thotë se ai s’e ka larguar Rifat Latifin nga detyra, por ka dhënë dorëheqje vet. Për 10 muaj, Kurti beson se ish-ministri i Shëndetësisë bëri aq sa mundi.
Kryeministri Albin Kurti e ka komentuar sot largimin e Rifat Latifit nga pozita e Ministrit të Shëndetësisë, javën e kaluar.
Kurti thotë se Latifi ka reflektuar rreth punës së tij dhe ka thënë se kaq mundi të bënte në situatën që është shëndetësia publike, dhe në kapacitetet që ka pasur.
“Ministri i Shëndetësisë ka dhënë dorëheqje, nuk e kam shkarkuar. Ai për 10 muaj ka bërë krejt çfarë ka mundur. Nuk është person që nuk reflekton edhe mbi punën e tij. Me situatën dhe kapacitetet që i ka, ka thënë se kaq mund të bëjë. Do të vazhdoj komunikimin dhe bashkëpunimin me të, por jo në këtë detyrë. Nuk ekziston asnjë projekt që ka nisur e që ne do ta ndalim”, deklaroi Kurti sot para mediave në Gjilan.
Pak javë para dorëheqjes së Latifit nga pozita e ministrit, Kryeministri Kurti ka formuar një Komision për Shëndetësinë, të cilin do të udhëhiqte vetë. Latifi ishte në përbërje të Komisionit.