Kryeministri i vendit, Albin Kurti, disa herë ka përsëritur pohimet se në Kosovë mund të ketë luftë. Ai thotë se për këtë është edhe i shqetësuar.
Në një intervistë për median zvicerane “Republik”, kreu i ekzekutivit ka listuar katër arsye që e bëjnë të imagjinueshëm një konflikt.
“Për mendimin tim Serbia është një regjim klient i Kremlinit. Serbia dhe Rusia zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake të quajtura “Mburoja Sllave” dhe “Vëllazëria Sllave”. Pjesa më e madhe e industrisë së naftës në Serbi është në pronësi të Gazprom. Ministria ruse e Mbrojtjes ka ngritur zyrën e saj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Serbia merr tanke dhe sisteme armatimi nga Moska”, është shprehur ai.
“Nuk kemi frikë, por jemi vigjilentë. Ne mbetemi të shqetësuar. Sipas meje, ka katër arsye që e bëjnë një konflikt të imagjinueshëm. Së pari, Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ajo lufton kundër njohjes sonë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë financojnë strukturat ilegale brenda Kosovës për të minuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin tonë”.
“Së dyti: Në Serbi nuk mund të pajtohen me krimet e luftës të kryera në vitet 1990. Nuk ka keqardhje. Arsyeja e tretë që më shqetëson: Kosova është demokraci, Serbia jo. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik. Së katërti, Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidentin despotik rus, Putin. Vuçiq e ka takuar Putinin gati 20 herë në 10 vjet, më e fundit më 25 nëntor 2021 në Soçi, tre muaj para fillimit të luftës”, ka thënë Kurti.
Kurti, mes tjerash, ka folur edhe për takimet me presidenti serb, Alekandar Vuçiq, të cilat thotë se janë përmirësuar veçse asnjëherë nuk ia ka shtrënguar dorën.
“Do të preferoja shumë që në Serbi të shihja politika progresive dhe pro-evropiane. Por nuk është kështu. Nga ana tjetër, atmosfera gjatë takimeve tona në Bruksel është përmirësuar”.
Nëse i kanë shtrirë dorën njëri-tjetrit, ai thekson: “Jo kurrë. Kjo për shkak se jemi takuar tre nga katër herë gjatë pandemisë së COVID-19 dhe nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare”.