Kurti për normalizimin me Serbinë: Njohja reciproke si thelb, reciprocitet si princip

E publikuar: 25/02/2023 12:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti_

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se Kosova është treguar e përkushtuar sa i përket dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Kurti ka deklaruar gjatë mbledhjes së 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, se statusi aktual i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është normal dhe se raportet duhet rregulluar.

Sipas tij një gjë e tillë ndodh me njohjen reciproke si thelb dhe reciprocitetin si princip.

“Në raport me Serbinë, kemi marrë pjesë në takimet e bisedimit në Bruksel sa herë që jemi ftuar, kemi pritur emisarët specialë sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, konstruktiv, parimor e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, ka deklaruar Kurti.