Kurti për kompensimin e naftës për deputetë: Qytetarët kanë të drejtë të indinjohen

E publikuar: 04/02/2022 17:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të indinjohen me deputetët të cilët u kompensuan për shpenzimet e udhëtimeve për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit apo komisioneve parlamentare.

Mirëpo, Kurti u shpreh se është e padrejtë të piketohet ndonjë deputet/e veçanërisht për një vendim të vitit 2011, derisa bëri thirrje Kuvendit ta ndryshojë këtë rregullore.

“Shefja e Grupit Parlamentare të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tashmë ka dhënë njoftim për këtë çështje, që deputetët tanë të tërhiqen vullnetarisht nga një kompensim i tillë dhe ka kërkuar nga Kuvendi të rishikohet kjo rregullore. Këto pagesa duhet të rregullohen, Kuvendi duhet të ndryshojë rregulloren për kompensimin për deputetët e Kuvendit. E kuptoj indjimin e qytetarëve, por në të një kohën është e padrejtë piketimi i ndonjë deputeti/e të veçantë, për një vendim të vitit 2011”, ka thënë Kurti.

“Është detyrë e secilit, si të zgjedhurit e popullit ashtu edhe shërbyesve civil, ta ruajnë kuletën e shtetit. Si Qeveri e kemi bërë këtë, si ulja e pagave për kabinetin qeveritar. Ne kemi ulur shpenzimet, pikërisht atëherë kur janë rritur të ardhurat, si në Doganë, ATK e në investime të huaja. Prandaj besoj që deputetët e zgjedhur duhet të jenë shembull për të gjithë dhe qytetarët me të drejtë presin edhe më shumë edhe më mirë prej tyre”, ka thënë Kurti para gazetarëve.Ndërsa sa i përket Manastirit të Deçanit Kurti ka kërkuar e nga liderët fetarë të Manastirit të kërkojnë zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale.

Tutje shtoi se çështja e pronësisë së tokave rreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë Gjykatë përkatëse dhe Kushtetuesja sipas tij nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët tjera juridike.

“Së pari gjithçka e ka burimin te vendimi i Qeverisë së Serbisë në vitin 1997 kur iu dhanë tokat Manastirit në mënyrë diskriminuese sepse ato ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike. Së dyti Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket kishës ortodokse serbe. Është pak e habitshme se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë”.

“Aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces duke i dhënë të drejtë Manastirit. Çështja e pronësisë së tokave rreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë Gjykatë përkatëse dhe Kushtetuesja besoj se nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët tjera juridike. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit, por edhe liderët fetarë të Manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale dhe besoj që një gjë e tillë është e mundur”, shtoi Kurti në një konferencë.