Kryeministri i vendit Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, siç edhe pritej, ka folur për çështjen e presidentit. Kurti ka thënë se për bindjen e tij, profesori Murat Jashari, që vje nga familja emblematike Jashari, do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur për president të vendit.
Kurti ka thënë po ashtu se edhe takimet me opozitën për këtë çështje kanë qenë konstruktive dhe se një figurë nga familja Jashari do të kishte mbështetjen e të gjitha partive politike.
“Pas formimi të qeverisë kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, pasi kanë mbetur edhe shumë pak ditë për ta zgjedhur presidentin/presidenten. Jam shumë i vetëdijshëm që Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk i ka numrat, nuk i ka 80 vota. Për këtë kam ftuar në takim dy liderët e partive opozitare. Takimet kanë qenë konstruktive. Fillimisht ka qenë një pajtueshmëri që vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë e padiskutueshme sigurisht që do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet që një figurë si e profesorit Murat Jashari do të kishte mbështetjen e të gjitha partive politike”, ka thënë kryeministri Kurti.
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur gjatë ditës së sotme ku parashihet të diskutohet edhe çështja e presidentit. Kështu deklaroi kryeministri dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, pas një takimi që e zhvilloi të shtunën me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën.
Kurti një ditë më parë deklaroi se në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së, do të diskutohet çështja e presidentit por e ndërlidhi me “propozimet partiake”. Në një deklaratë për media pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kurti ka thënë se “kur nuk ka mundësi për marrëveshje politike për propozime konsensuale, atëherë do të ketë propozime partiake”. Ai ka thënë se “propozimet partiake do të merren vesh shpejt”.
Ai ka deklaruar se ende nuk ka një emër konsensual për president të shtetit, teksa ka thënë se shpreson që javën tjetër të ketë garë për këtë post.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani gjithashtu edhe profesori dhe ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami kanë shpallur kandidaturat e tyre për postin e presidentit.

















