Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha sot Gjykata Kushtetuese duhet të lejohet të punohet në qetësi lidhur me çështjen e mandatarit për formimin e Qeverisë Hoti.
Kurti pas vizitës në Aviacionin Civil të Kosovës tha se Gjykata Kushtetuese i ka aktgjykimet e saj nga rastet e mëhershme, ekziston përvoja dhe praktikat e mëhershme dhe se duhet të lejohet të punojë në qetësi, raporton Telegrafi.
“E kemi Kushtetutën tonë dhe të punojë në qetësi për vendim profesional e meritor”, tha ai.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.
Thaçi pasi dekretoi Avdullah Hotin, menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.